20 vizita në ditë për infeksione të veshit, mjekët paralajmërojnë: Tek fëmijët rrezikohet edhe dëgjimi

Mes virozave të shumta, infeksionet e veshit kanë qenë të shpeshta gjatë kësaj vere, si tek të vegjlit, ashtu edhe tek të rriturit.

Mjekët specialistë të sëmundjeve të veshit thonë se kanë pasur rreth 20 vizita në ditë në urgjencë dhe kryesisht raste që kishin frekuentuar pishinat, por edhe detin apo lumenjtë.

“Infeksione të veshit të jashtëm, të cilat kanë shumë dhimbje. Nuk janë serioze, se nuk rrezikojnë jetën, por janë të dhimbshme dhe kemi pasur shumë raste”, u shpreh shefja e Shërbimit të ORL në QSUT, Prof. Birkena Qirjazi.

Zhytja në ujë, qoftë i kripur apo i ëmbël, shpesh është bërë shkak për infeksione për shkak të ujit të ndotur. Por të shpeshta kanë qenë infeksionet e veshit tek të vegjlit, ku jo gjithmonë ka shkak ujin dhe që, nëse nuk trajtohen, rrezikojnë humbjen e dëgjimit.

Mjekët këshillojnë kujdes të veçantë, sidomos për personat që vuajnë në mënyrë të vazhdueshme nga infeksionet e veshit. Ata duhet të përdorin mbrojtëse të veshit apo kapuçë që nuk lejojnë depërtimin e ujit në vesh.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT