‘Jemi në kohë lufte jo pushimesh’! Shkodranët ‘sfidojë’ urdhrat, Elbasani ‘thyen’ heshtjen (VIDEO)

Rinia shkodrane duket se ende nuk është ndërgjegjësuar se të luash me jetën dhe shëndetin tënd dhe të tjerëve nuk është shaka.
Pavarësisht urdhrit për të ndenjur në shtëpi dhe shmangur grumbullimet për të frenuar sa më shumë infektimin me koronavirus, duket se kjo nuk vlen për shkodranët e ‘pabindur’ të cilët kanë dalë shëtitje në masë me biçikletat e tyre. Kryesisht vihen re të rinjtë, të cilët janë edhe më rebelët jo vetëm për t’iu bindur urdhrave, por ecin me idenë e tyre se ‘jam i ri dhe i pamposhtur”.
Shkodra pasditen e 14 marsit i ngjan një dite normale pushimi dhe feste, ku të gjithë shijon rrezet e perëndimit dhe shëtitjen në rrugë shoqëruar me miq dhe familjarë. Kjo do të ishte një pamje normale në një ditë normale feste apo jete, por jo në një situatë emergjente, ku të gjithë po mundohemi të luftojmë armikun e padukshëm që tashmë ka hyrë në shtëpinë tonë Shqipëri.
Ruajtja e shëndetit tonë, të dashurve , miqve dhe shoqërisë është detyrë e gjithsecilit prej nesh! Nuk është më çështje dëshire, por DETYRE QYTETARE! Prandaj shkodranë të dashur kthehuni dhe rrini në shtëpi!
Ky nuk është shembulli i duhur që duhet të jepni dhe se shumica e qytetarëve, përfshirë dhe moshatarët tuaj janë vetizoluar tashmë prej dy ditësh. Fakti që koha është e bukur, me diell dhe jeni pushim, nuk do të thotë se duhet ta përdorni për xhiro në natyrë, por për të ndenjur në shtëpi dhe ajrosur banesat tuaj, dhe sigurisht kemi fatin që moti po na favorizon për të mos përdorur dhe ajrin e kondicionuar. Të njëjtën thirrje bëri dhe kryeministri Rama pak orë më parë, kur për fakt të keq të ‘pabindurit ‘ në Tiranë çuan në mbylljen e parkut të Liqenit, në mënyrë që të shmangen grumbullimet.
“Jemi me fat që kemi këtë kohë të mirë dhe të ngrohtë, mund t’i mbajmë dritaret hapur gjatë gjithë ditës për ajrosjen e shtëpisë dhe të fikim ajrin e kondicionuar që është një armik në këtë luftë.
Por kjo nuk do të thotë të dalim xhiro familjarisht siç ka ndodhur dje dhe sot në Liqenin e Tiranës ku vërtetë nuk kishim shumë njerëz si zakonisht në një mot të tillë, por mjaftueshëm për të cenuar rregullat e mbrojtjes individuale. Apo buzë liqenit të Shkodrës ku mbrëmë ishte sikur jemi në një kohë pushimesh dhe jo në kohë lufte’ tha Rama në një video mesazh për qytetarët nga shtëpia e tij në Surrel.