Zvërneci, flet këshilltari amerikan: Protestat po i thoni botës se “Shqipëria nuk dëshiron të bëjë biznes”

Këshilltari i lartë diplomatik amerikan, ekspert i çështjeve të Ballkanit, Iranit dhe tolerancës ndërfetare, Christopher S. Hyland, ka paralajmëruar ndaj reagimit në lidhje me ndërtimin e kompleksit resort në Zvërnec, duke thënë se nuk po kundërshtohet thjeshtë ndërtimi i një hoteli, por fillimi i marrëdhënieve të vendit tonë me shumë kompani të huaja investitore.

Hyland thotë në një intervistë ekskluzive në Klan News se mesazhi që i jepet botës është se Shqipëria nuk dëshiron të bëjë biznes me kompanitë e huaja.

“Pra, duke kundërshtuar këtë projekt, ju nuk po kundërshtoni vetëm ndërtimin e një hoteli apo resorti. Në fakt, ju po kundërshtoni fillimin e një marrëdhënieje me Shqipërinë nga shumë kompani. Dhe po i thoni botës se Shqipëria nuk dëshiron të bëjë biznes“, tha këshilltari i lartë diplomatik amerikan, Chrisopher Hyland.

Ai thekson se ekziston një mundësi e jashtëzakonshme në projektin prej 4 milionë dollarësh për zhvillimin turistik të vendit, por edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Para së gjithash, protesta është pjesë e një shoqërie demokratike. Nuk ka dyshim për këtë. Dhe në thelb, ka disa shqetësime që kanë këta protestues. Por për fat të keq, këto shqetësime thelbësore tani janë duke u përvetësuar nga lojtarë të këqij në një mënyrë të tillë që po nxiten përçarje serioze për Shqipërinë dhe përçarje serioze për aleancën midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, shtoi Hyland.

Hyland thotë se është një gjë të protestosh kundër shqetësimeve për ruajtjen e natyrës që dikush mendon se nuk po përmbushen, është krejt tjetër gjë të shkosh në ekstrem.

“Kur dëgjon protestuesit të thonë se Shqipëria është vetëm për shqiptarët, atëherë fillon të nervozohesh shumë sepse jetojmë në një botë globale dhe Shqipëria sapo ka përjetuar dekada të një diktature të tmerrshme komuniste shtypëse në të cilën diktatori deklaroi se Shqipëria ishte vetëm për shqiptarët, askush nuk lejohej të hynte, askush nuk lejohej të dilte. Pra, kjo është shumë larg shqetësimit nga çështjet e ruajtjes së mjedisit”, theksoi Hyland.

Hyland thotë se ka qytetarë me shqetësime serioze që duhet të adresohen dhe se si partia opozitare ashtu edhe partia në pushtet e mbështesin këtë projekt zhvillimi prej 4 miliardë dollarësh.

Këshilltari i lartë amerikan nënvizon se investimi prej 44 miliardë £ është një përqindje e madhe e produktit vjetor bruto kombëtar të Shqipërisë. Ai përbën një nga investimet më të mëdha të vetme në industrinë turistike në të gjithë Evropën për shumë vite.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT