“Shkova mora 30 letra, llogarinë ia çova mixhës”, dënohen me 68 vite burg kriminelët shqiptarë në Britani, mbanin llogaritë e drogës në bllok (DETAJE-EMRAT)

Një grup i strukturuar kriminal që operonte në jug të Anglisë është goditur nga autoritetet britanike, pas një hetimi të gjerë që zbuloi një rrjet të sofistikuar të trafikut të kokainës me shtrirje në disa rajone të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë rast janë përfshirë edhe shtetas shqiptarë.
Në Gjykatën e Kurorës në Ëinchester, më 20 prill 2026, u shpallën dënimet për pesë të pandehurit, të cilët pranuan fajësinë për përfshirje në furnizimin e drogës së klasit A. Dy prej tyre, Xhetan Gjoci 31 vjeç dhe Arlend Titini 32 vjeç, u konsideruan si drejtuesit kryesorë dhe u dënuan me nga 14 vite burg secili.
Ndërkohë që anëtarët e tjerë të grupit, Vladimir Rina 37 vjeç u dënua me 11 vite e 8 muaj burg, Dejvin Rina 21 vjeç, me 8 vite e 8 muaj, ndërsa Korab Skepi 23 vjeç, me 11 vite e 8 muaj burg.
Hetimet e kryera nga Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar në jugperëndim zbuluan një rrjet të mirëorganizuar që kishte shpërndarë të paktën 27.5 kilogramë kokainë në disa zona të Britanisë, përfshirë Londrën, Dorset, Hampshire, Devon, Cornëall dhe rajone të tjera.
Në qendër të operacionit ishte një laborator i improvizuar droge në një banesë të marrë me qira në Bournemouth, ku kokaina përpunohej me substanca përzierëse si kafeina dhe prokaina, si dhe me aceton për paketim dhe përgatitje për shpërndarje. Grupi përdorte pajisje industriale, përfshirë presa hidraulike dhe ventilatorë të mëdhenj, për të rritur kapacitetin e prodhimit.
Sipas hetuesve, rrjeti kishte gjithashtu disa banesa të përdorura si “stash houses”, ku ruheshin sasi të mëdha droge dhe parash. Transporti i lëndëve narkotike dhe parave kryhej në mënyrë të koordinuar nga korrierë të ndryshëm gjatë periudhës prill 2024-mars 2025.
Një nga provat kyçe të hetimit u zbulua në janar 2025, kur policia kontrolloi banesën e Korab Skepit në Southampton. Aty u sekuestruan 3.1 kilogramë kokainë, mbi 24 mijë paund cash dhe një libër i detajuar ku mbaheshin shënime për lëvizjet e drogës dhe parave. Ky regjistër, i shkruar në gjuhën shqipe, përmbante të dhëna të përditshme për transaksionet, destinacionet e dërgesave dhe personat e përfshirë në rrjet.
Pas arrestimeve, pjesëtarë të grupit tentuan të zhduknin gjurmët e aktivitetit kriminal, duke transportuar materiale dhe pajisje nga një banesë në Southampton. Megjithatë, hetuesit zbuluan një tjetër bazë operacionale në Bournemouth, ku u kapën mbi 16 kilogramë kokainë, së bashku me pajisje për përpunimin e saj.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan mbi 27 kilogramë kokainë dhe më shumë se 167 mijë paund cash, duke shmangur shpërndarjen e një sasie të madhe droge në tregun britanik.