Me molotovë dhe flakadanë, Tirana në “kolaps”! Vazhdon marshimi i opozitës, “maskat” shoqërojnë Sali Berishën (PAMJE)

Me molotovë dhe flakadanë po vazhdon protesta e opozitës e cila nisi rreth orës 18:37 të kësaj të diele. Fillimisht, protestuesit u drejtuan në ambientet e Kryeministrisë, ku hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt ndërtesës, duke shkaktuar tensione të mëdha dhe reagim të menjëhershëm nga forcat e rendit.
Më pas, turma vijoi drejt Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës, ndërtesa që ndodhen pranë njëra-tjetrës, duke përsëritur të njëjtin skenar, hedhje molotovësh dhe fishekzjarrësh. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me piper për të shpërndarë turmën, por përplasjet vazhduan.
Një tjetër incident u regjistrua pranë selisë rozë, ku një automjet policie u përfshi nga zjarri si pasojë e molotovëve të hedhur nga protestuesit. Ata nuk kursyen as stacionet e autobusëve, ku hodhën flakadanë dhe molotovë.
Disa nga pjesëmarrësit, të cilët ndoqën ish-kryeministrin Sali Berisha, vazhduan marshimin në rrugët e kryeqytetit. Aktualisht nuk dihet se cili do të jetë destinacioni i tyre përfundimtar, ndërsa situata ka shkaktuar bllokime të shumta nëpër rrugë dhe ka sjellë kolaps të trafikut në pjesë të qytetit.