“Studentët? Gjithçka ka ndryshuar sepse ka ndryshuar fryma”

Shënim hyrës: Intervista që botojmë sot kërkon sy dhe mendje të majtësh.

Atyre që janë vërtet të tillë.

Ajo ngre një pyetje në fund, e cila është më e rëndësishme se vetë tema e saj: A është e mundur një Shqipëri e re pa shfrytëzim, poshtërim e tëhuajsim?

Do lexoni një përgjigje mbi këtë pyetje nga dikush që drejton fëmijët studentë të atyre prindërve mbi supet e të cilëve rëndon gjithë pesha e padrejtësive: Të skamurit.

A kanë ata potencialin shpërthyes për të rifutur në krizë gjithë sistemin politik dhe ngulfatjen ideologjike në Shqipëri?

Vec pyetjes, Arlindi flet dhe për një rreng.

Edi Rama është i gatshëm të ndryshojë gjithçka në dukje për të mos ndryshuar asgjë në përmbajtje.  Është një rreng i vjetër politik, të cilin ai e zotëron më mirë se paraardhësit e tij – thotë ai.

Dhe ka shumë të drejtë.

Siç ka të drejtë edhe për pjesën, e cila frymëzoi dizajnerin e faqes së parë për sot.

Në Shqipëri nuk ka ministra.

“Në vend të ministrave ne kemi njerëz të cilët kanë dhënë  me koncesion firmën e tyre” – thotë Arlindi.

Njëra sjell tjetrën.

Kulti i njëshit, kryetarokracia dhe depersonalizimi i të tjerëve është sëmundje e vjetër në Shqipëri.

Sot, Shqipëria e mendimit është sërish në vdekje klinike.

 

*****

 

Protesta e studentëve dhjetorin e kaluar

Sot, një vit pas protestave të studentëve që e tronditën Shqipërinë, si e shihni situatën në Universitet nga perspektiva e një profesori dhe aktivisti? Çfarë ka ndryshuar?

Në kuptimin praktik të fjalës, në jetën universitare nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Ligji i arsimit të lartë mbetet në fuqi dhe, bashkë me të, edhe aradha e problemeve si komercializimi i universiteteve publike, konsiderimi i pedagogëve si shitës njohurish të përcipta dhe i studentëve klientë, papërballueshmëria ekonomike e studimeve, sundimi çifligar i drejtuesve universitarë, përdorimi i pushtetit të notës për të abuzuar me studentët etj.

Po në një këndvështrim tjetër, gjithçka ka ndryshuar sepse ka ndryshuar fryma. Protestat e dhjetorit dhe vazhdimi i rezistencës gjatë janarit të këtij viti ua kanë mësuar studentëve leksionin më të madh historik: bashkimi në lëvizje i atyre që e pësojnë ka potencial shpërthyes.

Studentët janë vetëdijesuar se jo vetëm mund të transformojnë jetën universitare, por edhe të fusin në krizë gjithë sistemin politik dhe ngulfatjen ideologjike në Shqipëri.

Mjafton të flasësh me njerëzit në rrugë të cilët edhe sot, thuajse një vit pas protestave masive studentore, janë në pritje të një nisjeje të re të lëvizjes studentore. Për ta, studentët janë katalizatori i munguar i historisë, ndërlidhësi i energjive të pashtershme shoqërore të cilat deri më tash shuhen në izolimin individual.

 

Kryeministri Rama e ndërroi gjysmën e kabinetit qeveritar vitin e shkuar duke e justifikuar këtë veprim si reagim të menjëhershëm ndaj presionit prej protestave studentore. Ndër të tjerët, e shkarkoi edhe Ministren e Arsimit. Megjithatë, këto ndryshime u perceptuan nga studentët si sipërfaqësore, sepse shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë nuk u konsiderua për asnjë çast. Si e shihni këtë reagim të qeverisë shqiptare?

Edi Rama është i gatshëm të ndryshojë gjithçka në dukje për të mos ndryshuar asgjë në përmbajtje. Është një rreng i vjetër politik, të cilin ai e zotëron më mirë se paraardhësit e tij.

Nga ana tjetër, unë dyshoj se në Shqipëri nuk ka ministra. Në fakt ka vetëm kryeministër. Ministri i një fushe të caktuar nuk është personi që koncepton politikat përkatëse, por thjesht zbatuesi i verbër i urdhrave të kryeministrit. Në këtë kuptim, në vend të ministrave ne kemi njerëz të cilët kanë dhënë  me koncesion firmën e tyre.

Rasti i hartimit të ligjit për arsimin e lartë është domethënës. Ky ligj, i sponsorizuar nga disa pronarë universitetesh private, nisi të hartohej nga një grusht njerëzish pranë kryeministrit, të emëruar nga ky i fundit. Gjatë gjithë këtij procesi, Ministria e Arsimit ishte më tepër vëzhguese e një procesi që po ecte pavarësisht asaj.

Ministrja e asokohshme e Arsimit dukej sikur as e kishte lexuar siç duhej dhe as e kishte kuptuar logjikën e ligjit në fjalë. E njëjta gjë ndodh edhe me ministren aktuale. Ndiqeni kur flet për ligjin e arsimit të lartë! Do t’ju vijë keq se sa pak e njeh atë, a thua se bëhet fjalë për ligjin e peshkimit të Mbretërisë së Holandës.

Më gjerësisht, refuzimi i qeverisë për të ndryshuar, qoftë edhe pjesërisht, ligjin e arsimit të lartë vjen për dy arsye.

E para ka të bëjë me bazën politike të qeverisë në arsim, e cila përbëhet nga pronarët e universiteteve private dhe drejtuesit e universiteteve publike. Të parët nuk do ta pranonin kurrë ndalimin e financimit të universiteteve të tyre me fonde publike, kurse të dytët do të refuzonin fuqizimin e studentëve brenda universiteteve publike pasi diçka e tillë do të rrezikonte sundimin e tyre.

Së dyti, prej vitesh ligji i arsimit të lartë është karikuar simbolikisht. Për qeverinë, ai shërben si model i çdo reforme të mundshme. Për kundërshtarët e tij, ai është gjeneza e çdo akti të mëpasshëm korruptimi në të gjitha fushat.

Kësisoj, rënia e ligjit për arsimin e lartë do të sillte medoemos rënien e qeverisë.

Megjithatë, protestat ia dolën t’i përgjysmojnë tarifat universitare për studentët e nivelit bachelor, siguruan rikonstruktimin e disa konvikteve në Qytetin Studenti dhe disa përfitime tjera. Përse nuk është kjo e mjaftueshme për ju?

Në fakt, qeveria premtoi ulje gjithëpërfshirëse të tarifave të nivelit bachelor vetëm për vitin akademik që lamë pas. Në këtë vit, nga ulja e tarifave përjashtohen studentët që kanë notë mesatare nën 6, si dhe ata që, për arsye të ndryshme, kanë qoftë edhe një provim të mbartur, pavarësisht se sa të lartë e kanë mesataren. Po ashtu, ulja e tarifave bachelor është shkallëzuar në raport me mesataren. Ky shkallëzim mbart një dimension pandershmërie.

Pikësëpari, zakonisht studentë me mesatare të ulët janë ata që vijnë nga familje të varfra dhe kanë nevojë të punojnë shumë për të përballuar kostot në rritje të jetesës dhe arsimimit. Ne do të duhej t’ua lehtësonim atyre barrën e studimit, t’u lironim më shumë kohë për të studiuar dhe t’i motivonim.

Së dyti, në degë të ndryshme është çimentuar praktika e lehtësisë apo vështirësisë relative të marrjes së një note të lartë. Për shembull, në degët inxhinierike apo të shkencave të natyrës në Shqipëri është më e vështirë të merren nota të larta, çka i diskriminon studentët e këtyre degëve në uljen e tarifave.

Së treti, shkallëzimi i uljes së tarifës në raport me mesataren – ku sa më e lartë të jetë ajo, aq më pak paguan – po krijon një klimë trysnie drejt pedagogëve për t’i rritur artificialisht notat.

Ç’është më e rënda, tarifat e niveleve të tjera të studimit (master dhe doktoratë) nuk janë prekur pothuajse fare. Ato janë skandalozisht të larta, duke arritur edhe në mbi 1000 euro për vit akademik. Qeveritë e njëpasnjëshme i kanë konsideruar studimet pas-bachelor si luks dhe jo si pjesë organike të formimit të një profesionisti dhe qytetari të ardhshëm.

Ato paguhen me çmim të pasubvencionuar nga shteti.

Në përgjithësi, po t’i krahasojmë tarifat universitare me nivelin e pagës minimale dhe mesatare, Shqipëria është një nga vendet evropiane ku studimet kushtojnë më shtrenjtë.

Sidoqoftë, përpjekja e universitarëve nuk ishte vetëm për tarifat. Ata kërkonin një universitet të ri, të bashkëqeverisur nga studentët dhe pedagogët, autonom nga qeveria dhe logjika e parasë, që krijon impulse punësimi profesional për të diplomuarit dhe, në tërësi, është nismëtar i ideve dhe praktikave që mund ta transformojnë shoqërinë.

Afërmendsh, asnjëra nga masat e marra nga qeveria nuk ka kontribuuar në këto qëllime.

 

Studentët sulmojnë me vezë KM

Tetë prej studentëve/eve aktivistë/e të Lëvizjes Për Universitetin fillimisht janë dënuar me nga dy muaj burg secili/a për shkak të një proteste më 2015 të ndërmarrë brenda mjedisit të fakultetit ku jeni i punësuar si pedagog prej më shumë se një dekade tashmë. Cili aspekt i stafit akademik dhe organeve studentore i kërcënon më shumë strukturat e pushtetit?

Aksioni me vezë ndaj Edi Ramës në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale ka qenë ndoshta momenti kur shoqëria ktheu përfundimisht sytë nga universiteti. Vajzat dhe djemtë që tentuan t’ia njollosin këmishën Ramës u rrahën paq brenda oborrit të fakultetit nga truproja, policë e gangsterë që shoqëronin Ramën.

Aty në oborr disa studentë dhe kalimtarë të rastit u solidarizuan me ta. Por për turp, asnjëri nga pedagogët e pranishëm atë moment në fakultet nuk u doli në mbrojtje, edhe pse dihej që ndërhyrja e policisë në mjediset universitare është e paligjshme nëse nuk kërkohet me shkrim nga dekani. Strukturat drejtuese të fakultetit dhe universitetit heshtën, ndonëse atë ditë jo vetëm u dhunuan studentët, por edhe u poshtërua universiteti.

Gjithsesi, dhuna e asaj dite dhe përndjekja e mëpasshme ligjore janë të papërfillshme në raport me dhunën strukturore që politikat qeveritare po ushtrojnë mbi universitetin.

Nuk ka dhunë më të madhe se t’i detyrosh pedagogët të heqin dorë nga e vërteta kritike dhe të kthehen në reklamues të institucionit të tyre apo të falin nota për të rritur numrin e studentëve të rekrutuar, se t’i ngarkosh studentët me tarifa të larta dhe të mos kenë zë në mbarëvajtjen e universitetit, apo se t’i varfërosh universitetet publike sepse qeveria mendon si t’i financojë pronarët “e gjorë” të universiteteve private.

Për sa i përket qeverisë, nuk mendoj se ajo ua ka frikën studentëve dhe pedagogëve si të tillë, por potencialit që ata kanë për t’i ndezur shoqërisë zjarrin e shpresës. Një libër apo ide kritike, sado e saktë dhe e madhe qoftë, nuk do të ndryshonte asgjë nëse nuk do të arrinte të ndërtonte një urë komunikimi dhe, më pas, bashkëveprimi me botën shoqërore jashtë saj. Ky do të ishte roli i studentëve dhe pedagogëve si intelektualë organikë të atyre pjesëve të shoqërisë të cilat deri më sot kanë qenë të padukshme e të pazëshme.

 

Ju personalisht a jeni ndjerë i rrezikuar në mjedisin e punës për shkak të angazhimit politik? A mendoni se një pjesë e kolegëve tuaj refuzojnë t’i përkrahin publikisht studentët apo ta ngrenë zërin për shqetësime të ndryshme në universitet për shkak të drojës se mund të ndëshkohen, përkundër faktit se kanë të drejtë kushtetuese për ta bërë këtë?

Në fakt, nuk jam ndjerë asnjëherë i rrezikuar për shkak të angazhimit tim publik. Jo edhe aq për shkak të ndonjë trimërie të rrallë që fle brenda meje, porse kur bëhesh pjesë e një lëvizjeje shoqërore masive nis të jetosh në një dimension tjetër, të kuptosh se përkushtimi ndaj një ideje emancipuese është më përmbushës se çdo aksident në jetën personale.

Nuk mjafton vetëm të jetosh, por edhe të shtrosh pyetjen se cila jetë ia vlen të jetohet.

Dhe përgjigjen e kësaj të fundit nuk e gjen dot në izolim, as e kupton dot mirëfilli nëpër libra. Ajo vjen vetëm praktikisht, nga angazhimi me shumë të tjerë, nga frymëzimi që merr kur sheh se ç’potenciale të parrëfyeshme nisin të aktualizohen mes vajzave dhe djemve fare të rinj në moshë, por me mendje të fortë e guxim të madh.

Këtë që unë dhe disa pak shokë e kolegë të mi kemi vite që e përjetojmë, vërej se vitin e fundit po mishërohet edhe në shumë kolegë. Në dhjetor, pa ua kërkuar kush, shumica e pedagogëve të fakultetit ku punoj firmosën një deklaratë ku, pasi solidarizoheshin me studentët, i kërkonin qeverisë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.

Ditët në vijim iu bashkuan protestës studentore, u angazhuan në asambletë e fakulteteve, nisën themelimin e një sindikate, u hodhën në grevë, si dhe iu rezistuan kanosjeve të tërthorta të qeverisë dhe të drejtpërdrejta të drejtuesve universitarë. Ishin të njëjtët njerëz që më parë nuk kishin guximin apo besimin se mund të arrihej diçka dhe që tanimë kishin gjetur brenda vetes fuqinë për të qenë pjesë e një lëvizjeje të madhe.

Prandaj, frika është gjithmonë situacionale. Ajo lind e rritet kur organizimi dhe lëvizja shuhen. Kur rrota e historisë nis të lëvizet sërish, njerëzit habiten me guximin dhe fuqinë që gjendet brenda tyre.

 

Ju jeni gjithashtu aktivist i Organizatës Politike ku kauza e punës është fokusi i aktivizmit. Shumë aktivistë të OP-së dhe të Lëvizjes për Universitetin janë punëtorë ose vijnë nga familje punëtore, kështu që përfaqësojnë shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë. Si lidhen çështjet e universitetit me punëtorët dhe pjesën tjetër të shoqërisë? Çfarë i bashkon studentët dhe punëtorët?

Është e vërtetë që shumica dërrmuese e aktivistëve të Organizatës dhe Lëvizjes ku bëj pjesë janë studentë punëtorë, ose vijnë prej familjeve punëtore e të varfra. Kjo bën që lufta e tyre të mos jetë vetëm për parime abstrakte, por reale deri në kockë. Në jetën e tyre të përditshme lind sinteza më e mirë midis kauzës studentore dhe asaj punëtore.

Pikëprerjet midis këtyre dy kauzave janë të disallojta. Historikisht shkolla, sidomos studimet universitare, kanë qenë ashensori kryesor social i familjes punëtore. Prindërit mund të rropateshin në punë fizike, por shpresonin se të paktët fëmijët e tyre do të kishin një mundësi më shumë nëse studionin. Kësisoj, sa më shumë të rrëzohen kufijtë mes të varfërve/punëtorëve dhe universitetit, aq më i lartë është mobiliteti social.

Nga ana tjetër, sot një pjesë gjithnjë e më e madhe studentësh janë të dënuar të punojnë gjatë periudhës së studimit. Rrjedhimisht kushtet e punës i shohin të lidhura ngushtë me kushtet e studimit. Gjithsesi pas përfundimit të studimeve, shumica syresh gjenden në një pozitë të pashpresë: punë në profesion ka për shumë pak vetë, çka i detyron ose të emigrojnë, ose të pranojnë të kryejnë një punë dukshëm të nënkualifikuar për një kohë në dukje të pambarimtë.

Në këtë sens, ata janë punëtorë me diplomë universitare, çka i motivon edhe më shumë që ta transformojnë këtë model zhvillimor mbytës, i cili bazohet në tejshfrytëzimin e punës së krahut dhe ka pak vend për angazhimin e punës konjitive.

Po, mbi të gjitha, shkollimi universitar i pajis studentët me një shtysë universaliteti që vjen si rezultat i raportit intim me të vërtetën. E vërteta shoqërore nuk mund të jetë thjesht konstatuese, por edhe transformuese. Ajo kërkon të ndryshojë koordinatat e kuptimit, të rrokë marrëdhëniet e saj me botën, të vetëdijesohet për kufijtë dhe fuqitë e saj, si dhe për rrjedhojë të ndihmojë në transformimin e marrëdhënieve politiko-shoqërore.

Kësisoj, studenti del nga universiteti me një ide, sado të vagullt, se si mund dhe duhet të jetë një botë e re: pa shfrytëzim, poshtërim e tëhuajsim. Bota nuk mund të bëhet e tillë pa u identifikuar me ata nga duart dhe mendjet e të cilëve ngrihet çdo e mirë që gëzojmë dhe mbi supet e të cilëve rëndon gjithë pesha e padrejtësive: punëtorët.

 

A do ketë sërish protestë studentore?

A duhet të presim protesta të reja nga studentët me fillimin e vitit të ri akademik?

Po të isha kryetar partie, do të mund ta parashikoja me saktësi. Fundja ata, me një të rënë të bilbilit, kanë mundësi të mobilizojnë strukturat partiake dhe të sjellin pak mijëra veta në shesh.

Po bash për këtë arsye, protestat e tyre janë të vdekura në nerv, me njerëz që shikojnë orën se kur duhet të largohen, pa kurrfarë imagjinate dhe fuqie transformuese.

Protestat studentore janë të gjalla, krijuese deri në marramendje, të pakomandueshme dhe tronditëse për qeverinë dhe sistemin politik. Prandaj janë të paparashikueshme. Ajo që unë mund të them është vetëm se kushtet objektive të studimit dhe të jetesës së studentëve janë njëlloj si vjet, në mos më keq. Pakënaqësia e tyre është po aq e lartë. Po janë ata që do të na tregojnë nëse sot brenda tyre zë më shumë vend dëshpërimi apo shpresa.

Detyra jonë si aktivistë është thjesht të bëjmë gati infrastrukturën organizative që, kur studentët të rivërshojnë në rrugë, të ekzistojë minimumi i kushteve që energjia protestuese të mos shpërhapet, por të rrëzojë përfundimisht ngrehinën e shëmtuar të politikave qeveritare në arsim dhe të nisë ndërtimin e një universiteti të ri.

Ky proces mund të rifillojë nesër, pas një muaji apo pas një viti. Askush nuk mund ta thotë kur. Ama mendja ta do që kur të rifillojë, nuk do të lërë gur pa lëvizur.

*****

Intervistoi Gresa Hasa. Botuar nga faqja online K2.0 në Kosovë. Ribotuar sot si kopertinë e DITA. Titulli është i redaksisë. Shënimi hyrës është i Kryeredaktorit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT