Arsyet/ Përse Albin Kurti duhet të thërrasë popullin e Kosovës në zgjedhje të reja?
Nga Edison Balla

Edhe pse tashmë kanë kaluar gati tre muaj që nga dita kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, sërish partitë politike atje nuk ja kanë dalë që të formojnë qeverinë e re.
Kjo për arsye sa ndryshimesh ideologjike mes dy partive kryesore që morën më shumë vota në zgjedhje, pra LDK dhe VV, aq edhe për mosërënien dakord të ambicieve të tepërta që mund të ketë njëra apo tjetra parti.
Por në fakt Albin Kurti pas zgjedhjeve ka folur qartë disa herë sesi qëndron e vërteta e pamundësisë së rënies dakord të dy partive për të krijuar qeverinë e Kosovës. I kemi ofruar gjithçka kemi mundur Lëvizjes Demokratike të Kosovës, por më shumë se kaq as nuk duam e as nuk mundemi – është shprehur kreu i VV-së.
Edhe pse formimi i qeverisë së re për Kosovën është një nevojë urgjente, kjo referuar situatës politike të vendit, nisjes së bisedimeve me Serbinë, operimit me taksën 100%, apo heqjes së vizave me shtetet evropiane, sërish duhet thënë që ka arsye objektive që Albin kurti t’a çojë sërish vendin në zgjedhje të reja.
Së pari, atij po i skadon afati 15 ditor që parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe dekreti i presidentit Thaçi. Ekziston mundësia që qeveria të mos krijohet edhe pas kalimit të këtij afati, dhe ndodhja e kësaj skeme vetëm sa do të dëmtonte më shumë besimin qytetar te Albin Kurti.
Kjo pasi do ta nxirrte atë si të paaftë për të formuar qeverinë, duke e shndërruar LDK-në e Isa Mustafës në faktor përcaktues.
Por siç e kemi thënë ka edhe një propabilitet tjetër për formimin e qeverisë së Kosovës edhe pa aleancë me LDK-në. Kjo është formimi i asaj që njihet ndryshe si “qeveria e pakicës” pra me 61 deputetë. Qeveri e cila edhe nëse do të krijohej nuk do ti leverdiste Albin Kurtit.
Së dyti, për Isa Mustafën kjo është mbase mundësia e fundit për të marrë një post qendror në Republikën e Kosovës, duke qenë se pozicionin e kryeministrit në kohën e qeverisjes me PDK-në nuk e shijoi dot siç duhej.
Që nga koha e vdekjes së liderit historik, Ibrahim Rrugova, Lëvizja Demokratike e Kosovës nuk ja dalë më dot që të jetë parti e parë në Kosovë dhe kjo mundësi për Mustafën është e artë, ndaj po mundohet t’i vendosë ai rregullat e lojës. Por kjo lëvizje duhet thënë vetëm sa e dëmton më tepër Albin Kurtin, edhe nëse finalizohet krijimi i qeverisë me LDK-në.
Së treti, edhe nëse do të realizohej formimi i qeverisë sërish duhet thënë Albin Kurti nuk do ta kishte vetë në dorë “timonin” e qeverisë duke i pamundësuar atij arritjen e atyre rezultateve që u ka premtuar qytetarëve të Kosovës, sepse një qeveri e tillë do të ishte e brishtë dhe e pakonsoliduar.
Pra, Albin Kurti bën mirë t’u drejtohet qytetarëve të Kosovës e t’i thirrë në zgjedhje të reja nëse do që të rrisë besueshmërinë dhe kredibilitetin e tij politik në afatgjatësi.