Të shtëna në festivalin latin në Toronto, 2 të vrarë dhe 4 të plagosur, autorët në arrati

Dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur pas një shkëmbimi zjarri mes personave të armatosur gjatë festivalit Salsa on St. Clair, festivali më i madh latin rrugor në Kanada, i mbajtur të shtunën në Toronto.

Sipas Policisë së Torontos, të paktën dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit mes një turme prej rreth 13 mijë pjesëmarrësish. Autoritetet bëjnë të ditur se gjashtë persona u qëlluan me armë zjarri, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati.

Zëvendësshefi i Policisë së Torontos, Frank Barredo, tha se dy viktimat që humbën jetën ishin burra, ndërsa katër të plagosurit u transportuan në spital me plagë të rënda.

Sipas autoriteteve, ngjarja duket se ishte rezultat i një konflikti mes dy personave që kishin në shënjestër njëri-tjetrin, por të shtënat rrezikuan jetën e qindra qytetarëve që ndodheshin në festival.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesëmarrësit duke u larguar me panik, ndërsa dhjetëra mjete policie, automjete të blinduara dhe ambulanca mbërritën menjëherë në zonë.

Gazetarja e CP24, Joanna Lavoie, e cila ndodhej në festival, tha se atmosfera festive u kthye brenda pak çastesh në kaos.

“Të gjithë ishin të tronditur dhe të frikësuar. Kishim ardhur për t’u argëtuar dhe askush nuk e priste një ngjarje të tillë”, u shpreh ajo.

Edhe dëshmitarja Valerie Rodriguez tregoi se ishte ulur pranë një restoranti kur dëgjoi të shtënat dhe pa njerëzit të vraponin në panik. Sipas saj, disa persona u kërkuan të pranishmëve të shtriheshin në tokë për t’u mbrojtur nga plumbat.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka më rrezik për publikun.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT