VIDEO/“Bien” rrugët edhe në juglindje! Çahet asfalti në segmentin Boboshticë-Dardhë, shoferët detyrohen të kalojnë vetëm në njërën korsi (VIDEO)

Probleme janë shfaqur edhe në segmentin rrugor Boboshticë-Dardhë. Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme në këtë segment janë konstatuar çarje në pjesën anësore të rrugës, gjë e cila ka detyruar vështirësimin e qarkullimit duke bërë që drejtuesit të lëvizin vetëm në njërën korsi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shkuar në terren për të vlerësuar gjendjen dhe po shqyrtojnë masat për stabilizimin e segmentit, ndërsa kanë vënë në rrugë sinjalistikë kufizuese për drejtuesit e mjeteve.

Prej ditësh rrugët në juglindje dhe që të çojnë drejt saj janë duke u përballur me rrëshqitje të dherave dhe çarje të asfaltit. Aksi Librazhd-Pogradec prej katër ditësh tanimë po vijon të jetë i bllokuar.

Siç raportuam dhe më herët situata në segmentin e njohur si “Arrat e Gurrës”, është përkeqësuar, ndërsa punonjësit nuk janë rikthyer ende në terren për të vijuar me ndërhyrjet.

*Situata në aksin Boboshtice-Dardhe

Gjithçka nisi katër ditë më parë me një krisje në sipërfaqen e asfaltit. Brenda pak orësh, plasaritja u thellua, duke u fundosur plotësisht trupi i rrugës.

Sot, pamjet nga vendngjarja tregojnë një rrëshqitje masive dheu që nis nga maja e kodrës dhe zbret deri në shtratin e lumit Shkumbin, duke përfshirë të gjithë strukturën mbajtëse të segmentit.

Burime për mediat bënë me dije se edhe traseja e re, pjesë e projektit të Korridori VIII, ka pësuar dëmtime të rënda. Ura në këtë zonë është degraduar, ndërsa asfalti ka ceduar në mënyrë të pakthyeshme, duke e bërë të pamundur çdo qarkullim.

Tentativa për hapjen e një by-pass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese u ndërpre, pasi rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës krijuan rrezik serioz për jetën e punëtorëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT