“Sot do ta kallim!” Sali Berisha del nga selia për të “djegur” qeverinë, mijëra demokratë e presin te Bulevardi, çfarë pritet të ndodhë sot në Tiranë

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili paraditen e kësaj të shtune paralajmëroi se sot demokratët do të “kallin” kryeqytetin, ka lënë ambientet e selisë blu dhe është nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku dhe po e presin mijëra demokratë.
Ai shoqërohet nga Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agorn Gjekmarkaj, Albana Vokshi dhe shumë deputetë dhe demokratë.
Një javë pas protestës të së premtes pasdite, Berisha ka mbledhur sërish mbrëmjen e kësaj të shtune demokratët për të protestuar kundër qeverisë, atë që ai e quan “narkoshtetin”.
Ndryshe nga protestat e kaluara, kësaj here mungon një podium përpara ambienteve të Kryeministrisë, ndërkohë që burime për mediat bënë me dije më herët se nuk do të ketë fjalime.
Teksa deri më tani nuk dihet se çfarë skenarë kanë përgatitur demokratët, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë.
Ashtu sikurse njoftuam dhe më herët rreth 1500 efektivë janë vendosur në gatishmëri, të shpërndarë pranë godinave të Kryeministrisë, Parlamentit dhe selisë së Partisë Socialiste.
Fokusi kryesor mbetet ruajtja e institucioneve, pasi pritet që pas grumbullimit para Kryeministrisë, protestuesit të marshojnë drejt institucioneve të tjera kryesore.
Ndërkohë, godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardh metalik dhe masa të shtuara sigurie. Në terren janë vendosur autobotë uji, mjete zjarrfikëse dhe ambulanca, ndërsa forcat “Shqiponja” janë pajisur edhe me fikse zjarri si masë parandaluese, duke marrë si referencë skenarët e protestave të mëparshme.
Masa sigurie janë shtuar edhe pranë selisë së Partia Socialiste e Shqipërisë, në një situatë ku autoritetet druhen nga përshkallëzimi i mundshëm i tensioneve, përfshirë hedhje të lëndëve piroteknike apo mjeteve ndezëse, siç ka ndodhur në tubime të mëhershme.