Riatdhesimi i Eva Dumanit, ambasadorja e Shqipërisë në Turqi zbulon për herë të parë detaje: Ka pasur një vëmendje dhe një interesim personal të Ramës dhe Erdoganit

Pas 12 vitesh larg Shqipërisë, Eva Dumani është rikthyer më në fund në atdhe. Ajo u rrëmbye nga babai në moshën 8-vjeçare së bashku me vëllain e saj, Endrin, dhe u dërgua në Siri.
Në vitin 2020 u bë i mundur riatdhesimi i vëllait të saj, Endrit. Ndërkohë, përpjekjet e vazhdueshme të dajës së tyre, Xhetan Ndregjoni, për të kthyer në Shqipëri edhe Evën, nuk ndaluan derisa e rikthyen.
Daja saj nuk hoqi dorë, ai arriti ta nxjerrë Evën nga Siria duke e kaluar ilegalisht në Turqi. Sfida e fundit mbeti tejkalimi i procedurave ligjore, që policia turke të mos e konsideronte këtë akt kriminal dhe ta lejonte të vinte në Shqipëri.
Mbrëmjen e sotme, në një lidhje live në emisionin “Top Story”, ambasadorja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadej, rrëfeu për herë të parë detajet e procesit të riatdhesimit të Evës nga Siria.
Ajo theksoi se për këtë rast ka pasur edhe një interesim personal nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kur merret njoftimi që një shtetas shqiptar ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Turqi, duhen zbatuar të gjitha protokollet, përfshirë atë të riatdhesimit. Bëhet fjalë për kalim kufiri në mënyrë të paligjshme. Unë dua të them që për këtë rikthim, riatdhesim të Evës, përpos gjithë përpjekjeve diplomatike dhe bashkëpunimit, ka pasur një vëmendje dhe një interesim personal të Ramës dhe Erdoganit. Sepse për herë të parë morëm një njoftim nga një vajzë e rrëmbyer në moshën 8-vjeçare. Kemi qenë dëshmitarë edhe për vëllain e Evës, të cilin e kemi nxjerrë nga ferri.
Unë besoj që autoritetet shqiptare kanë të dhëna për një numër të caktuar shqiptarësh që janë ende në Siri. Nuk e di numrin e saktë; është policia dhe drejtoria e antiterrorit e përfshirë. Por unë do të thoja që, në rast se këta shtetas që kanë mbetur atje duan të kthehen në Shqipëri, duhet që familjarët e tyre të kontaktojnë me autoritetet shqiptare.
Nuk e takova vetë Evën, sepse ishte 500 km larg Ankarasë dhe, për arsye të kompleksitetit të këtij procesi, nuk mund ta takonim qoftë edhe për një foto”, u shpreh Blerta Kadzadej.