Edi Rama reagon për herë të parë për rrugën e Librazhdit: U mbyt mileti me bomba artizanale, rrëshqitja e tokës s’ka lidhje me aksin e ri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për rrugën e shembur në fshatin Dragostunjë, në aksin Librazhd-Prrenjas, ku prej më shumë se një javë rrëshqitja e dheut ka paralizuar juglindjen.
Ai e ka nisur ditën me pamjet e segmentit të ri të Korridorit VIII (Elbasan – Qafë Thanë), ku siç thekson, po bëhet një punë kolosale e shembullore e standardeve europiane.
Sipas kryeministrit Edi Rama fajtore për situatën janë mediat dhe politika, sepse, sipas tij, “e mbytën miletin me bombat artizanale mbi segmentin prej disa qindra metrash të rrugës së vjetër, të cilën e bllokoi rrëshqitja e tokës.”
Kreu i qeverisë thekson se rrëshqitja e tokës në Dragostunjë nuk ka aspak lidhje me punimet që po zhvillohen nga kompania përgjegjëse për segmentin e ri të Korridorit VIII (Elbasan – Qafë Thanë).
“Ju uroj fundjavë të qetë dhe larg tenxhereve të qametit artificial”, përmbyll ai.