“Në tërmetin e ’79 u ndërtuan mbi 17 mijë shtëpi brenda 6 muajve”

Brenda strukturës shtetërore, u panë qartë specialistët e ndërtimit të lënë jashtë tryezës organizative të shtetit dhe lëkundja me magnitudë 6.4 e shkallës righter, zbuloi sipas gjeologut Ylber Muceku “një Shqipëri me ndërtime kaotike dhe pa planifikim urban”.

Në Durrës ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, u inspektuan më shumë se 700 objekte, prej të cilave 237 janë klasifikuar si të pabanueshme.

Ndërsa dhjetëra shtëpi po shemben, hipotezat për përmasat e kësaj katastrofe që prek edhe qytete si Tirana, Lezha etj., janë të shumta.

Muceku, ekspert në studimin e tokës shpjegon për “Panoramën” të vërtetën e këtyre hipotezave. Sipas tij, për rrënimin e objekteve në fjalë, nuk mund t’i hidhet faji truallit, por mungesës së studimeve gjeologjike, sizmike dhe projektimeve të paplanifikuara. Përpos kësaj, në terrene “të vështira” kërkohet investim me kosto të lartë.

Ndaj, për ndryshimin e situatës aktuale, ai ngre alarmin për angazhimin e ekspertëve në studime të mirëfillta e kërkime shkencore.

Kërkime që sipas tij nuk kanë munguar as në periudhën e komunizmit, kur janë bërë studime të standardeve të larta. Lidhur me këtë periudhë, specialisti tregon edhe rastin e vitit 1979, kur në Shkodër u ndje tërmeti me magnitudë 6.9 i shkallës righter, që rrënoi mbi 17 mijë objekte. “Pas katastrofës, banorët në më pak se 6 muaj ishin të gjithë brenda në shtëpitë e reja”, tregon ai.

Gjeologu shpjegon gjithashtu, se arsyeja kryesore se pse gjatë periudhës së diktaturës nuk ndërtoheshin objekte me lartësi të mëdha është aspekti ekonomik.

Zoti Muceku, pas tërmetit të 26 nëntorit janë sjellë në vëmendje të gjitha rastet e goditjeve të forta sizmike në vendin tonë, por a është Shqipëria një vend sizmik?

Që Shqipëria është një vend sizmik aktiv, ky është një fakt që dihet. Duke iu referuar studimeve të profesorëve dhe kolegëve tanë, mund të konstatoj se Shqipëria është një vend sizmik që futet në brezin e Mesdheut. Historikisht në vendin tonë ka pasur tërmete. Përmend këtu rastin e Durrësit në vitin ‘58 pas Krishtit, mandej në vitin 1905 ndodhi një tjetër tërmet në Shkodër me magnitudë 6.5 i shkallës righter. Një tërmet i tillë ndodhi në këtë qytet 25 vite më pas, në 1930-ën. Mandej, në 1979-ën, Shkodra dhe gjithë Shqipëria ndjenë edhe goditjen më të madhe sizmike me magnitudë 6.9, edhe pse ka shkencëtarë që pohojnë se lëkundja ka qenë më e fortë, deri në 7.2.

Nëse ndalim te tërmeti i ’79-ës, që u ndie në Shkodër, ku krahas 40 viktimave pati edhe 17.118 shtëpi të rrënuara. A është i vërtetë fakti se këto ndërtesa janë ndërtuar në më pak se 6 muaj?

Është e vërtetë, shtëpitë u rindërtuan brenda një periudhe të shkurtër, edhe sepse ato nuk kanë qenë shumë të mëdha. Flasim për shtëpi private, njëkatëshe, të cilat u ngritën sërish në zonat kodrinore. Brenda 6 muajsh, të gjithë të prekurit nga tërmeti ishin brenda në shtëpi. Lagjet që u rindërtuan, ishin shumë të bukura për kohën.

Ju po thoni se shtëpitë ishin thuajse të gjitha njëkatëshe, në fakt, në periudhën e komunizmit, lartësia e godinave ishte e kufizuar. Shumica prej tyre nuk i kalonte 4-5 kate. A ka ky fakt lidhje me shmangien e rreziqeve të mundshme, siç është edhe tërmeti?

Arsyeja kryesore pse në komunizëm nuk ndërtoheshin godina të larta, lidhet me aspektin ekonomik. Pra, nuk kishte mjaftueshëm buxhet për të harxhuar. Gjatë asaj periudhe, në Amerikë janë ndërtuar gradaçela. Po ashtu, në Azinë e Mesme (Katar, Dubai etj.) po ndërtohen ndërtesa shumë të larta, po sigurisht që nisma të tilla kërkojnë bazamente shumë të forta, çka do të thotë se kanë edhe kosto të larta./ Marre me shkurtime nga panorama

Back to top button
LAJMET E FUNDIT