“Tërmeti step të huajt të na vizitojnë, ka anulime por ka dhe moszgjedhje”

Një ditë përpara Samitit Ndërkombëtar të Turizmit, Kliton Gërxhani, zv. kryetar i “Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike” do të shprehte shqetësimin se të huajt po anulojnë udhëtimet e pushimet në Shqipëri për shkak të frikës nga pasojat e tërmetit.
Ai shkroi në llogarinë e tij në Facebook: “Për koinçidencë sot mora dy emaile aspak të mirë për këtë punë, të cilat nuk po i kuptoj në anglisht, por po i përkthej, që të mos influencojë vizitorë potencialë të huaj që mund të vizitojnë Shqipërinë. I pari një partner i rëndësishëm austriak më shkruan: “më vjen keq të informoj që na duhet të anulojmë çarterat në Shqipëri përsëri!! Njerëzit këtu në Austri janë shumë të pasigurtë dhe të frikësuar mbas ngjarjes së tërmetit fatal vitin e kaluar në vendin tuaj”.”
E dyta, do të vazhdonte rrëfimin e tij Gërxhani, ish-mësuesja ime holandeze që më thotë: “Më në fund vendosa të vizitoj Shqipërinë bashkë me burrin tim. Por për shkak të tërmetit po dyshojmë nëse duhet ta vizitojmë. Sepse ne jemi të interesuar për sitet arkeologjike, dhe nuk gjetëm informacion në internet nëse këto site janë dëmtuar apo a janë të hapura. Është pak e sikletshme të pyeswsh për gurët e vjetër kur vendi juaj po vuan pasojat e tërmetit, por mund të më japësh një informacion për këtë? Dhe të lutem, ji i sinqertë. (And please, be honest.)”
“Më ngeli në mendje kjo kërkesë e fundit e saj, – shkruan Gërxhani – prandaj dhe vendosa ta shkruaja këtë status. Dhe mu kujtua samiti, ku pashë nja 10 veta që do flisnin secili nga 4 minuta, dhe në këto 4 minuta do zgjidhnin këtë hall që fatkeqësisht do e vuajmë të paktën 4 vjet. Dhe nëse do më jepej nderi të flisja vetëm 4 sekonda në atë samit ndërkombëtar nesër, do thoja pikërisht: “And please, be honest!”
“Ka anulime, por ka edhe moszgjedhje. Nga katalogët që kemi dërguar tek partnerët tanë jashtë, nuk po e zgjedhin Shqipërinë. Nuk po shitet.
Unë nuk dua ta fitoj bastin për një sezon të varfër 2020. Mua më dhemb që nuk po e marrim situatën seriozisht. Po i fshihemi të vërtetës. Nuk po më dhëbmë më shumë me qeverinë sepse këtë shtet kemi ditur të ndërtojmë tërë kohës, por më dhemb me biznesin që thotë jemi të pafuqishëm ti bëjmë ballë shtetit”, ka thënë ai më pas gjatë një interviste.