Jahti luksoz u përzu nga Durrësi, Auron Tare: Drejtori nuk e thotë dot arsyen e vërtetë

Auron Tare ka reaguar sërish në lidhje me nxjerrjen nga porti i Durrësit dy ditë më parë të jahtit “Maltese Falcon”, veprim për të cilin ai akuzon drejtorin e Drejtorisë së Porteve, Paulin Ndreu.
Madje, Tare thekson se Ndreu urdhëroi nxjerrjen e jahtit jashtë portit të Durrësit për interesa personale dhe aspak bazuar mbi ligjin apo urdhrin e pretenduar të Drejtorisë së Përgjithshme Detare për të mos lejuar jahtet dhe kroçerat të qëndrojnë në porte përtej orarit të furnizimit me karburant apo ushqime.
Reagimi i Tares vjen pas përgjigjes së Paulin Ndreut një ditë më parë, i cili tha se ky i fundit, në rolin e agjentit që do të mundësonte furnizimin e jahtit me karburant dhe ushqime, e ka gënjyer kapitenin duke i premtuar se do të qëndronin aty për dy javë.
Ndreu tha se pasi mësoi se nuk mund të qëndronte dy javë aty, kapiteni vendosi të largohej nga porti duke mos pranuar as të furnizohej me naftë dhe ushqime.
***
Nga Auron Tare
Incidenti që ndodhi me “Jahtin Maltese Falcon” është një ngjarje e pa ligjshme dhe mund ta përkufizoj si një shpërdorim detyre të autoriteteve të kapitenerisë. Mund të ishte evituar aq më shumë në këto kohë që kemi nevojë për diçka pozitive dhe të bukur. Ardhja në Portin e Durrësit e një prej jahteve më të famshme në botë duhet të ishte një lajm i gëzueshëm si për të treguar se edhe në kohën e kolerës mund të buzëqeshim.
Për info Jahti erdhi sipas të gjitha rregullave të shtetit shqiptar nëpërmjet agjencisë detare “Our Own Expeditions”. Kërkoi të furnizohej si dhe të riparonte një problem në sistemin elektrik dhe për arsye të situatës së pazakontë nuk u bë i mundur furnizimi në pak orë ditën e premte. Për këtë arsye u kërkuar leje të qëndrojë gjatë fund javës për të marrë furnizimin ditën e hënë konfirmuar nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Me shkresën që për fat të mirë e ka nxjerrë vetë Drejtoria e Përgjithshme Detare. Deri këtu cdo gjë është normale por Drejtoria e Përgjithshme Detare bazuar në një urdhër të nxjerre në facebook, (deri më sot që flasim asnjë institucion apo operator privat që operon në këtë fushë nuk ka asnjë kopje shkresore të këtij urdhri) i kërkon anijes të largohet nga Kalata gjatë kohës që ajo priste të mbaronte karantina dhe të furnizohej.
Për të mësuar më shumë mbi këtë rast kërkoni pranë Autoritetit Portual të Durrësit informacion për ngjarje. Kapiteni i anijes për orë të tëra ka qenë nën një abuzim verbal nga njerëz të veshur me uniformë shtetërore të cilët insistonin për të zbatuar një urdhër të dalë në facebook. Mund të shikoni faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme Detare e përditësuar një vit më parë që nuk ka asnjë gjurmë të këtij urdhri. (Postimi i fundit daton në 16.04.2019) Po kështu nuk ka asnjë shkresë pranë Institucionit Portual të Durrësit apo institucione të tjera. Dëshiroj të theksoj se ky Urdhër në Facebook ka dalë pasi u lajmërua ardhja e jahtit të enjten në darkë.
Për të gjithë ata që kane interes të mësojnë pak më shumë mund te them se:
“Në bazë të nenit 91 Kodi Detar është Autoriteti Portual Durrës që rregullon hyrjen në kalatë dhe qëndrimin në të apo kohëzgjatjen. Ne bazë të këtij kodi, neni 18.a Kapiteneria ushtron autoritetin në respektimin e disiplinës portuale të trafikut detar” pra është policia e Trafiku detar. Ndërkohë në Urdhërin e Drejtorisë së Përgjithshme Detare ( në Facebook) thuhet se në bazë të kërkesave të Kruazierave dhe yachteve të kënaqësisë (për transparencë Kapiteneria e Përgjithshëm duhet të botojë numrin e këtyre kërkesave gjë që nuk e bën dot pasi industria e kruaziareva dhe jahteve charter është pezulluar në të gjithë Mesdheun për arsyet e Covid-19) pra qartësisht një pretendim jo I sakte, Pika 1 përcakton kufizimin e kohëqendrimit dhe pika 2 motivin se kalatat që sipas Kodit Detar, neni 91 janë nën juridiksionin e Autoritetit Portual, duhet të jenë të lira për anijet tregtare.
Ndërkohë për të gjithë ata që kuptojnë nga fusha e dinë se në momentin që mjeti lundrues merr leje nga Kapiteneria për tu ankoruar, ky mjet del nga juridiksioni i këtij institucioni, dhe mbas ankorimit, (përvec se për kushte teknike), mjeti lundrues është në juridiksionin e Autoritetit Portual, më saktë Zyrës së Dispecerisë Qendrore i cili është i vetmi Autoritet mbi qëndrimin në kalatë. Dispeceria Qendrore i ka dhënë leje mjetit lundrues (dokumenti i postuar ne Facebook e Kapitenerisë) por ndërkohë nuk ka nxjerrë asnjë shkrese për t’u larguar.
Administrimi i kalatave (përcaktuar me ligj nr 9130, 2003) bëhet ekskluzivisht vetëm nga Autoriteti Portual Durrës.
Ndërkohë në nenin 46 të këtij ligji përcaktohet qartë dhe rasti kur një mjet lundrues nuk lëviz në kohë.
Pra edhe në rast se pretendimi i Drejtorisë së Përgjithshëm Detare (Kapiteneria) do qëndronte, Autoriteti i vetëm i cili duhet të ndërhynte duhet të ishte Autoriteti Portual Durrës
Në aplikacionin VesselFinder duket qarte se Porti i Durrësit është krejtësisht bosh dhe kalatat janë të lira
Pretendimi i Kapitenerisë ka qenë se Kalata duhej për anijet tregtare kur ndërkohë në aplikacionin VesselFinder, ku mund ta shikojë kushdo duket qarte se Porti i Durrësit është krejtësisht bosh dhe kalatat janë të lira. Pra duket qartë se nuk ka pasur asnjë arsye për të larguar jahtin i cili me lejen e Autoritetit Portual priste të mbaronte karantina për t’u furnizuar.
Ky është shpjegimi paksa Teknik por që verifikohet shumë lehtë nga dokumentacioni përkatës si dhe nga Autoriteti Portual Durrës.
Lind pyetja po përse Drejtori i Drejtorisë së Porteve z. Ndreu ka insistuar me çdo kusht që kjo anije të dalë nga kalata. Çdo lexues i thjeshtë mund të bëjë këtë pyetje në dukje naive. Sigurisht që zoti Ndreu e ka pasur një arsye të cilën nuk mundet ta thotë dhe të vërtetën e vesh me lloj-lloj trillimesh që e bëjnë këtë ngjarje akoma më qesharake.


