Avokati britanik i Veliajt: Paraburgimi është i paligjshëm, të lirohet menjëherë për të vijuar mandatin

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë mbajtur këtë të enjte, 30 korrik, një konferencë për shtyp.

Fjalën e mbajti avokati Benjamin Brandon. Ai e cilësoi të pajustifikuar masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut, duke u shprehur se çështja ka pësuar vonesa të pajustifikueshme dhe se paraburgimi nuk është proporcional.

Brandon kërkoi lirimin e Veliajt, me argumentin se duhet të vijojë ushtrimin e mandatit.

“Kemi një vonesë të përgjithshme prej 16 muajsh dhe të pashpjegueshme. Gjykata e Strasburgut e ka bërë të qartë, Shqipëria duhet ta trajtojë lirimin sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo është një çështje që ka edhe interes publik. Përveç se ndalimi i tij ndikon tek ai vetë, familja e tij, gruaja e tij dhe dy fëmijët e tij, ka edhe një impakt te qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë zgjedhur.

Të ndalosh një person duhet të jetë masa e fundit që të zbatohet pas gjykimit. Kemi të bëjmë me ndalimin e një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor.

Së fundmi mund të them se ne suportojmë plotësisht të gjitha deklaratat dhe parashtrimet e përfaqësuesve të tij ligjorë shqiptarë. Mendojmë se ndalimi i tij si masë sigurimi është i panevojshëm, joproporcional, i paligjshëm dhe ai duhet të lirohet menjëherë, që të vijojë plotësimin e mandatit të tij.”

Mbrojtësi ligjor shqiptar, Plarent Ndreca, theksoi se Gjykata e Lartë duhet të dalë sa më shpejt me një vendim.

Kujtojmë se Veliaj ka si synim dërgimin e çështjes së masës së sigurisë në Gjykatën e Strasburgut.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator për të rishqyrtuar masën e sigurisë së kryebashkiakut Veliaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT