Opozita mban ‘peng’ miratimin e akteve zgjedhore, Partia Socialiste padit në Kolegjin Zgjedhor KQZ dhe Komisionin Rregullator (DOKUMENTI)

Partia Socialiste ka paditur në Kolegjin Zgjedhor Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe Komisionin Rregullator për mosmiratim të propozimeve të KQZ lidhur me praktikat e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit.
Konkretisht bëhet fjalë për mbledhjen e djeshme në KQZ ku dy anëtarët e opozitës të Komisionit Rregullator Muharrem Cakaj dhe Helga Vukaj, votuan kundër akteve që përcaktonin fletët e votimit dhe afatet për zhvillimin e fushatës, dhe kërkuan ndarjen bashkisë së Tiranës nga 5 bashkitë e tjera.
Propozimet e bëra nga KQZ:
1. “Miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, të datës 09 nëntor 2025”;
2. “Miratimin e disa karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, të datës 09 nëntor 2025”;
3. “Përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, të datës 09 nëntor 2025”;
4. “Përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në Vendet e Numërimit të Votave në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, të datës 09 nëntor 2025”;
Ndër të tjera, anëtarja Helga Vukaj u shpreh se nuk mund të kalonin për votim asnjë nga aktet e propozuara pasi është publike që ka një vendim në Gjykata Kushtetuese që rrjedhimisht bllokon zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Mosmiratimi i këtyre akteve në mbledhjen e djeshme, ka bërë që Partia Socialiste të ankohet në Kolegjin Zgjedhor duke kërkuar vijimin normalisht me procedurat përkatëse për zhvillimin e zgjedhjeve të parakoshme në 6 bashkitë e vendit.