“Ndërhyri Edi Rama”, Artan Hoxha: “Rrumi” i Shijakut burgosi drejtorin e hipotekës sepse s’firmoste

Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” ku foli për përgjimet e SKY ECC të publikuara së fundmi, ku Aleksandër Laho i njohur si Rrumi i Shijakut, ka përfituar prona në Durrës në mënyrë të paligjshme.
Hoxha tha se Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente të prodhuara nga institucionet shtetërore ndërsa shtoi se “Rrumi” kishte pushtet absolut mbi institucionet dhe i përdorte ato si “gurë shahu” për përfitimet personale.
Gazetari Hoxha përmendi një rast ku tha se Aleksandër Laho ka burgosur një drejtor hipoteke i cili nuk firmoste për interes të tij.
“Kemi një rast, ku rrjeti që kishte krijuar Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut) ndërhyn nëpërmjet organit të akuzës, arrestojnë drejtorin e hipotekës sepse drejtori i hipotekës nuk firmoste se si donin këta dhe e çuan në burg atë. Ky është rasti i famshëm ku ndërhyri Rama, ndërhyri Braçja.
Pra u arrestua drejtori i hipotekës sepse nuk firmosi ashtu siç donin ata, kaq i madh ishte ndikimi. Kur ndodhi atentati i 20 qershorit kam thënë që në makinë kanë qenë dosjet e kadastrës dhe të prokurorisë. Si mund të ishin në makinë?! Pra atje ishte një sistem, nuk ishte vetëm një person.
Ky mund të ishte vetëm maja dhe njeriu që mund të operonte në atë sistem, por ata që figuronin ishin më shumë se kaq. Fshatarët dhe ata që bëheshin pronarë toke ishin gurë shahu që përdoreshin nga këta dhe për të kamufluar përfituesin e vërtetë”, tha Artan Hoxha.