I bënë atentat në Romë, gazetari investigativ i “RAI3” ZBULON për mediat shqiptare mesazhin që i lanë bandat

Gazetari investigativ i RAI, Sigfrido Ranucci, ka folur për “Euronews Albania” në lidhje me atentatit ndaj tij pak ditë më parë.
Ranucci ka deklaruar se një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e tij ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Ranucci theksoi se fuqia e eksplozivit mund të kishte vrarë vajzën e tij që kishte makinën e saj aty pranë.
Sakaq, gazetari i RAI u shpreh se autorët kanë dashur t’i japin një mesazh që mund ta qëllojnë kudo që të jetë.
“Ishte ora 10 e mbrëmjes të enjten kur shpërtheu ky eksploziv, që përmbante një kilogram lëndë shpërthyese dhe ishte bërë nga ekspert. Ishte vënë në makinën time, ku shpërtheu makina ime dhe e vajzës sime.
Ndodhi pasi vajza ime ishte kthyer në shtëpi, për fat, nuk i ndodhi asgjë. Por fuqia e tij mund të na kishte vrarë. Kjo është pak dyshimi im në këto momente, sepse nuk e kuptoj cili ka qenë qëllimi, arsyeja ose domethënia.
Është vendosur në një pikë ku unë kaloj shpesh. Mesazhi që ndoshta ata duan të japin është se mund të të qëllojnë ty në çdo moment. Qëllimi është të na trembin ne, por kjo është një mision i pamundur.”-tha gazetari i RAI.
Hetuesit italianë dyshojnë se pas atentatit ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci qëndrojnë disa persona që e kanë ndjekur për disa ditë. Sipas mediave italiane, autorët janë fshehur në një zonë me pemë pranë banesës së tij në lagjen Pomezia të Romës, duke pritur largimin e eskortës policore përpara se të aktivizonin manualisht një sasi tritoli të vendosur mes dy vazo lulesh jashtë shtëpisë.
Gazeta “Il Giornale” raporton se autoritetet janë në kërkim të një personi me kapuç, i identifikuar nga një dëshmitar, i cili është parë duke u larguar me makinë pak para shpërthimit. Automjeti në fjalë është tashmë identifikuar dhe po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë, megjithëse më e afërta ndodhet mbi 50 metra larg vendit të ngjarjes.
Dyshohet se autorët e atentatit ishin të informuar për lëvizjet e Ranuccit, i cili sapo ishte kthyer në Itali pas disa ditësh mungesë. Bomba ishte e ndërtuar në mënyrë artizanale, shumë e fuqishme, dhe pa mekanizma të zakonshëm si telekomandë apo kohëmatës. Shpërthimi ndodhi në orën 22:17 dhe shkatërroi dy automjete, vetëm 20 minuta pasi vajza e gazetarit ishte kthyer në shtëpi. I prekur nga ngjarja, Ranucci u shpreh: “Mund ta kishin vrarë atë.”