Teatri Kombëtar përfshihet në listën e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë

Përpjekja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka marr sot oksigjen në përpjekjen e saj për të mbrojtur Teatrin nga shembja.
Europa Nostra – Zëri Europian i shoqërisë civile të angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore – dhe organizata partnere e saj, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, kanë shpallur sot 7 vendndodhjet e Trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2020.
Mes 7 monumenteve të rrezikuara është përfshirë edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë. (LEXO KËTU)
Lajmin e ka bërë të ditur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
“Ky ishte lajmi më domethënës në një përpjekje që filloi gati njëzet vjet më parë dhe kulmoi dy vitet e fundit, me qëndresën titanike të artistëve, profesionistëve, aktivistëve dhe qytetarëve që mbrojtën Teatrit Kombëtar nga tentativa e Autoriteteve shqiptare, përkatësisht , qeverisë shqiptare, pushteti qendror dhe ai vendor, për ta shembur”,
thuhet në njoftimin e aleancës.
Në këtë përzgjedhje, Teatri Kombëtar i Shqipërisë mori vlerësimin: “Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, përballet me rrezikun e afërt të shembjes”.
Vendndodhjet e tjera në këtë listë përfundimtare janë:
Kështjella Jezeří, Horní Jiřetín, REPUBLIKA ÇEKE, Kështjella e Sammezzanos, Toskanë, ITALI, Blloku Y, Lagjja Qeveritare, Oslo, NORVEGJI, Centrali elektrik Szombierki, Bytom, POLONI, Fortesa e Beogradit dhe Rrethinat e saj, SERBI dhe Stadiumi Pleçnik, Ljubljanë, SLLOVENI.
7 vendndodhjet më të rrezikuara për vitin 2020 i përzgjodhi Bordi i Europa Nostra-s nga lista me 14 vendndodhje të përzgjedhura më parë nga një panel ekspertësh.
Përzgjedhja u bë në bazë të domethënies së jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilës prej vendndodhjeve, si edhe në bazë të rrezikut të afërt që u kanoset.
Shkalla e përkushtimit të komuniteteve lokale dhe përpjekjet e palëve të interesuara shtetërore dhe private për të shpëtuar këto vendndodhje u konsideruan si vlera të shtuara vendimtare.
Një kriter tjetër përzgjedhës ishte potenciali i këtyre vendndodhjeve për të vepruar si katalizator për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në lokalitetet e tyre dhe më gjerë, në rajonet përkatëse.
Teatri Kombëtar i Shqipërisë vërtetoi që i plotëson të gjithë këto kritere.
Kjo përzgjedhje e Teatrit Kombëtar në listën 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë, do të thotë që tashmë të interesuar për restaurimin e tij nuk janë vetëm faktori i brendshëm i përbërë nga artistët, profesionistët, aktivistët dhe qytetarët protestues por edhe faktori ndërkombëtar i përfaqësuar nga kjo organizatë dhe rrjeti i organizata ku ajo bën pjesë me fokus të veçantë partnerët e programit 7-të Vendndodhjet më të Rrezikuara.



