Mot i paqëndrueshëm gjatë kësaj jave. Të premten rikthehen reshjet, në fundjavë mot me diell

Java ka nisur e nxehtë dhe me temperatura të larta, por nga kjo e mërkurë parashikohen rënie të temperaturave me disa gradë Celsius. Nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, sinoptikanët parashikojnë përmirësim të kushteve të motit për këtë mesjavë, por të premten vendi do të përfshihet përsëri nga vranësira dhe reshje shiu.

“Nga dita e sotme ne presim një rënie të temperaturave, ku termometri gjatë ditës së sotme nuk pritet që t’i kalojë 35°C në zonat e ulëta. Për ditën e enjte ne presim një përmirësim të kushteve meteorologjike. Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të territorit, e vranësirat pritet të jenë fare të pakta, kalimtare në orët e mesditës dhe pasdites. Dita e premte do të sjellë përsëri një ndryshim të kushteve meteorologjike, ku moti do të nisë me kthjellime dhe vranësira, të cilat do të vijnë në zhvillim kryesisht në mesditë dhe pasdite. Vranësirat do të pasohen nga reshje shiu. Reshjet pritet të jenë me intensitet kryesisht të ulët, por përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave malore nuk do të mungojnë edhe shtrëngatat e shiut, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër”, tha meteorologia.

Në fundjavë do të mbizotërojnë orët e gjata me diell, por situata do të ndryshojë përsëri në fillimin e javës së ardhshme.

“Fillimi i javës duket se do të na sjellë përsëri një përkeqësim të kushteve meteorologjike. Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim dhe gradualisht do të shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit. Por zona veriperëndimore dhe pjesërisht ajo qendrore pritet të kenë reshje në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër. Reshjet në këto zona pritet të jenë me intensitet deri mesatar, herë pas here lokalisht, në intervale të shkurtra kohore, me intensitet deri të lartë”, tha ajo.

Reshje të dobëta shiu në veri e verilindje parashikohen nga mesi i javës së ardhshme. Në relievet e larta malore parashikohen në periudha afatshkurtra reshje në formën e shtrëngatave të izoluara, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbizotërohet nga një mot i kthjellët e i qëndrueshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT