“Harroi 40 persona në qeli, gabimi u fsheh”, avokati zbulon shkeljen e rëndë të SPAK dhe bën paralelizmin: Po Lefter Koka, pse nuk lirohet, ka 4 vjet në paraburgim!!!

Ish-ministri i Drejtësisë dhe tashmë avokat, Ylli Manjani ka zbuluar një shkelje të rëndë të ligjit nga Prokuroria e Posaçme. Sipas tij, vitin e kaluar togat e zeza kanë liruar 40 persona, të cilët SPAK i kishte harruar në qeli në tejkalim të afateve.
“GJKKO, fjala vjen liroi vitin që shkoi plot 40 persona që SPAK-u i sukseseve të mëdha i kishte harruar në paraburgim. Ky fakt kaloi pa u vënë re nga lajmet sepse SPAK u kujdes që ti jepte medias “ushqim të freskët”, për ta fshehur këtë super dështim hetimor”, shkruan Manjani.
Ai merr indicie nga rasti i Lefter Kokës, i cili pak ditë më parë kërkoi lirinë sepse afatet e paraburgimit janë tejkaluar, por kërkesa e rrëzua. Sipas Ylli Manjanit, për ish-ministrin është shkelur çdo ligj.
“Lefter Koka është tash 4 vite në paraburgim. Ligji procedural ka vënë limit kohor për paraburgimin, jo më shumë se 3 vite”, shkruan ai. “Tani ky ligji i afatave pse nuk vlen për Lefter Kokën?! Është 4 vite në paraburgim tjetri, të konvertuara në ditë burgu janë plot 6 vite burg.”
Sipas Ylli Manjanit, mbajtja në paraburgim tej afateve të përgjithshme që lejon ligji është shkelje e rëndë e të drejtës për liri të individit, dhe e tillë është edhe për Lefter Kokën.
“Lefter Koka nuk është as terrorist e as vrasës me pagesë që të çojë në ulërima ekstaze SPAK-un, për të rritur presionin ndaj gjykatës (Shqipëria është vend i vogël dhe merret vesh çdo gjë), Kjo e fundit është dukshëm nën presion të jashtëzakonshëm nga SPAK”, vijon avokati.
Lexoni shkrimin e plotë të Ylli Manjanit:
Trajtimi i Lefter Kokës është Inkuizicion.
*****
Lefter Koka është tash 4 vite në paraburgim. Ligji procedural ka vënë limit kohor për paraburgimin, jo më shumë se 3 vite.
Deri dje gjykatat tona, përfshi edhe GJKKO, ishin strikt në zbatimin e këtij afati. GJKKO, fjala vjen liroi vitin që shkoi plot 40 persona që SPAK-u i sukseseve të mëdha i kishte harruar në paraburgim.
Ky fakt kaloi pa u vënë re nga lajmet sepse SPAK u kujdes që ti jepte medias “ushqim të freskët”, për ta fshehur këtë super dështim hetimor.
Por sidoqoftë ata u liruan nga GJKKO e tmerrshme që s’të jep as një gur të çash kokën tënde, e jo më lirinë. U liruan sepse ligji është strikt dhe shkelja e tij nga SPAK ishte më shumë sesa e rëndë. Dhe shumë mirë bëri gjykata.
Tani ky ligji i afateve pse nuk vlen për Lefter Kokën?! Është 4 vite në paraburgim tjetri, të konvertuara në ditë burgu janë plot 6 vite burg.
Është 4 vite në paraburgim, ose 6 vite burg, për llogari të gjykimit të tejzgjatur të inceneratorit të Fierit pasi për të tjerat është gjykuar dhe ka kry punë.
Nuk po i hyjmë këtu faktit se si, përse e ma ç’prova se tashmë ky është diskutim luksi në sistemin inkuizitor të drejtuar nga SPAK-u i reformës. Por mbajtja në paraburgim tej afateve të përgjithshme që lejon ligji është shkelje e rëndë e të drejtës për liri të individit. Apo nuk quhet individ Lefteri?!
Lefter Koka nuk është as terrorist e as vrasës me pagesë që të çojë në ulërima ekstaze SPAK-un, për të rritur presionin ndaj gjykatës (Shqipëria është vend i vogël dhe merret vesh çdo gjë), Kjo e fundit është dukshëm nën presion të jashtëzakonshëm nga SPAK.
Tani, si e kanë menduar shokët në SPAK, që njeriu duhet të kalbet në burg vetëm që të shkruhet bukur CV-ja e karrierës së prokurorëve?! Të heronjve të kalamajve të Yuri Kim, megjithse Ajo ska kalamaj?! Po kujt i duhet CV-ja e tyre kur të mos jenë më aty?!
Ja pra pse po ulërasim se vendi ka nevojë për GJYKATË të PAANËSHME. Kemi nevojë për gjykatë të drejtë në sistem demokratik akuzator dhe jo gjykatë inkuizicioni, ku karriera e prokurorit vlen më shumë se liria kushtetuese e individit.
Mbajtja në paraburgim tej afateve ligjore e Lefter Kokës është shkelje shumë e rëndë e lirive themelore.
Edhe në Amerikë kështu quhet kjo sjellje abuzive….
Pfffff.