Dënohet me burg përjetë shqiptari pasi vrau me thikë bashkëshorten në Greqi

Shqiptari Eduard Danaj, është dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet gjyqësore greke, pasi vrau me thikë bashkëshorten në Greqi.  

Ai u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Enkelejda Danaj, ngjarje e ndodhur në maj 2024 në kryeqytetin grek. 

Sipas vendimit të gjykatës, 50-vjeçari kishte vepruar me paramendim dhe nën ndikimin e motiveve xhelozie dhe kontrolli. Pas aktit, ai ishte larguar nga vendngjarja dhe kishte qëndruar përkohësisht në një hotel, ku më pas u arrestua nga policia. 

‘Akti i vrasjes është një akt mizor. Kemi një thikë të ngulur në stomakun e viktimës. I pandehuri është një njeri i dhunshëm, ai as nuk i mbante mend datat e lindjes së fëmijëve të tij, gjë që është e pakonceptueshme. Ai konsumoi alkool pas veprimeve të tij dhe më pas mori një taksi dhe shkoi në një hotel’, tha kryetari i gjykatës.  

Sipas mediave greke, gjykata, përveç dënimit me burgim të përjetshëm, e gjobiti Danajn edhe me 5 mijë euro për mbajtje dhe përdorim të armës së ftohtë pa leje. 

Në sallën e gjyqit, një nga momentet më prekëse ishte dëshmia e vajzës 22-vjeçare të çiftit, e cila pas humbjes së nënës ka marrë përsipër rritjen e vëllait të saj më të vogël. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT