Arlind Qori: Garoj për Tiranën si alternativë anti-sistem

Drejtuesi i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, gjatë një interviste në një emision televiziv, u shpreh se ka vendosur të hyjë i vetëm në garën për Bashkinë e Tiranës.
Qori tha se Lëvizja BASHKË është ndryshe nga partitë tradicionale dhe për këtë ajo do të marrë pjesë me kandidatët e saj në çdo palë dhe lloj zgjedhjeje, ndërsa kritikoi partitë e vjetra, që sipas tij janë bashkëpunëtore në të gjitha të këqijat që i kanë sjellë Shqipërisë.
“Ne jemi shumë ndryshe nga partitë tradicionale në Shqipëri. Në këto zgjedhje e në çdo zgjedhje tjera, ne do të garojmë me kandidatët tanë”, tha Qori, duke shtuar se Këshilli Koordinues i Lëvizjes BASHKË e ka zgjedhur atë si kandidat, sepse “gara për Tiranën nuk është vetëm administrative por edhe politike, dhe është më mirë që kryetari i partisë të jetë kandidati për kryetar”.
“Unë kam kandiduar në vitin 2023 për kryetar dhe patëm një rezultat të mirë. E njoh mirë qytetin, njoh problemet e qytetit dhe i përjetoj vetë ato. Lëvizja BASHKË e projekton veten si një alternativë ndaj sistemit prandaj vendosëm të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, tha Qori.