Të harrosh rrënjët

Nga Adrian Thano

Në një botë që i druhet plakjes si një dënimi të pashmangshëm, Alejandro Jodorowsky – artist, filozof, dhe me siguri poeti që ka shkruar më shumë për plakjen – na kujton se ajo nuk është rënie, por thellim.

Në një poezi të tij, ai thotë: “Nuk jam plakur. Jam bërë një fëmijë që di shumë gjëra”.

Shoqëritë sot nuk po i respektojnë më rrudhat, kujtimet, urtësinë. Jetojmë një epokë që e mat vlerën me pamjen, numrat dhe ndjekësit në rrjete. Jetojmë një botë që po ngutet shumë dhe nuk ka më durim për rrëfimet e kujtesës.

Asnjë shoqëri nuk do të bëhet vërtet humane, nëse nuk mëson të përkulet – jo për mëshirë, por për respekt – përpara atyre që kanë jetuar më shumë.

Shoqëria jonë nuk bën përjashtim.

Të moshuarit tanë i qëndruan kohës, edhe kur ajo ishte më e vështirë se sot. E ndërtuan këtë shoqëri me duart e tyre, e duruan varfërinë me dinjitet.

Tani, në vitet kur meritojnë më shumë kujdes, më shumë respekt, më shumë mbështetje – i kemi lënë të presin në radhë për barna dhe të numërojnë lekët për fatura; të jetojnë me pensione që nuk mbulojnë as nevojat bazë.

Meritojnë shumë më tepër sesa të jenë një shifër në statistikat e sigurimeve.

Ironia më therëse është se kjo kategori e shoqërisë është edhe më besnikja në kutitë e votimit. Politikanët shqiptarë e dinë mirë se fitorja kalon përmes kësaj moshe, e megjithatë, pasi u merr votën, i trajton si numra dhe jo si njerëz.

Privilegjet personale vihen mbi nevojat dhe mbi vuajtjet e atyre që kanë dhënë shumë gjatë jetës së tyre. Ndërsa një i moshuar përpiqet të mbijetojë me 100 apo 200 euro në muaj, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, me një vendim të vetëshpallur, i rritën pagat e tyre në nivele që duken të paturpshme përballë një popullsie të moshuar që mezi paguan ilaçet.

Ky është kulmi i hipokrizisë politike.

Jemi një shoqëri që nderon të vdekurit me zhurmë, por i harron të gjallët në heshtje.

Ata që dikur mbajtën këtë vend mbi supe, sot shihen si barrë. Dhe ky është faji më i madh i një vendi që po rritet pa rrënjë.

The post Të harrosh rrënjët first appeared on JavaNews.al.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT