Taulant Ballën “nuk e zë” ora në postin e ri, Sali Berisha ia numëron akuzat nga selia: Ai ka porositur vrasje e ka liruar kriminelë nga burgu

Taulant Ballën nuk e ka zënë ora pa akuza në postin e ri që i besoi kryeministri Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Lideri demokrat Sali Berisha ia ka numëruar akuzat nga selia blu, duke thënë se ai ka porositur edhe vrasje.

“Për mua, nuk kishte asgjë të papritur sepse të hysh në një narko-parlament, ku kartelet e drogës janë më të përfaqësuara se kurrë, ku grupin e partisë së krimit e kryeson njeriu që me dokumente ka porositur vrasje.

E kryeson njeriu që me dokumente zyrtare ka liruar terroristë siç janë ata që i vendosin tritolin Lulzim Kullës. Njeriu që ka liruar kriminelë nga komisariatet. Njeriu që figuron në dokumente zyrtare se është implikuar në dhjetëra afera korruptive të Klement Xhaferit.

Një ushtar i vërtetë i Suel Çelës. Njeriu që me Marion, vëllain e Suel Çelës, përcakton sipas dokumenteve zyrtare, numrin e votave që do marrë, me kusht që t’i arrestojë kundërshtarët politikë. Dhe i arreston. Ky është Taulant Balla. Imagjinoni se përkarshi kujt ulemi ne”, tha Sali Berisha.

Taulant Balla nuk do të jetë më ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin. Edi Rama njoftoi se në kabinetin e ri, ai nuk do ta mbajë më këtë post, sepse do të jetë i ngarkuar për drejtimin e socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Pra, përballë opozitës në këtë legjislaturë të re, socialistët do të kenë për kryetar të Grupit Parlamentar, Taulant Ballën. Deri më sot, këtë detyrë e mbante Niko Peleshi.

Edi Rama zgjodhi ta largonte sërish nga kabineti bashkëpunëtorin e tij të ngushtë politik, por e vlerësoi si politikanin më me eksperiencë, në kohën dhe në vendin e duhur. Vetë Balla u fokusua nga kamerat gjatë njoftimit dhe e priti lajmin i qeshur.

“Për eksperiencën e gjatë si deputet dhe për njohjen e detyrës së drejtuesit të grupit më mirë se kushdo, dhe për linjën nepotike jo përmes gjakut me Gramoz Ruçin, Taulant Balla është deputeti i duhur në kohën dhe në vendin e duhur”, u shpreh Edi Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT