Reagimi i familjes Cani pas vrasjes së nxënësit në Maliq: “Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale, por nga mungesa e sigurisë”

Pas ngjarjes së rëndë në Pirg të Maliqit, ku nxënësi 14-vjeçar Erald Xhejo mbeti i vrarë me thikë pas një përleshjeje në një lokal, ka reaguar familja e Martin Canit, i cili mbeti viktimë e një sulmi të ngjashëm më 18 nëntor të vitit të kaluar, jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Në një deklaratë për shtyp, familja Cani thekson se shkaku i vrasjeve nuk janë rrjetet sociale, por mungesa e masave konkrete nga qeveria, mungesa e sigurisë në shkolla, mosbashkëpunimi mes familjeve dhe komunitetit, si dhe mangësitë në sistemin shëndetësor.
“Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet,” shprehen ata.
Familja apelon që qeveria të ndërmarrë reforma konkrete. Ata ngushëllojnë familjen Xhejo dhe i bashkohen kërkesës për drejtësi, duke kërkuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten dhe prindërit të mos derdhin lot për fëmijët e tyre.