Rama: Nuk po fshehim koronavirusin! Kujdes nga infodemia

Në takimin e dytë të zhvilluar në kuadër të dëgjesave me qytetarët për procesin e rindërtimit, Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përpiqet që të përhapë panik përmes asaj që e quan “infodemi” për koronavirusin.
Nga Shijaku, Rama komentoi audo-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike, ku drejtorja e një qendrë shëndetësore në Tiranë ngre shqetësimin për mungesën e masave mbrojtëse, alkoolit dhe dizinfektantëve në këtë qendër.
Rama e pranoi se ka probleme sporadike. “Por, ky nuk është realiteti”, tha ai.
“Të mos u referohemi përpjekjeve, apo produkteve të papërgjegjshmërisë së mediave, apo episodet e turpshme, skandaloze si ai episodi jo ka alkool, jo s’ka alkool. Janë një papërgjegjëshmëri e madhe që nuk ka të bëjë fare me realitetin e përgjithshëm”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri hodhi poshtë si lajme të rreme edhe pretendimet se Shqipëria është prekur nga koronavirusi, por autoritetet po e mbajnë të fshehtë. Rama shpjegoi se përse nuk mund të mbahet e fshehtë, nëse do të kishte raste.
“Është e pamundur fshehja e rasteve, sepse jemi pjesë e rrjetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo kurrë mos ardhtë, por nëse vjen ne do ta përballojmë”, u shpreh ai.