Dy gazetarë në dosjen e grupeve Çopja-Alibej, fuqia dhe rënia e organizatës gjakatare, ushtarët, intrigat dhe eliminimet

Krahas gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, dy gazetarë rezultojnë të përfshirë në dosjen e SPAK për grupin kriminal të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, një prej grupeve më gjakatare, me shtrirje në disa kontinente dhe me fuqi tejet të madhe financiare. Hajdar Çopja allias Bako allias Hysa, i njohur si Dari i Dubait, ishte shumë i shqetësuar që në media po përmendej emri i tij, i vëllait dhe i vrasësve me pagesë.

(Hajdar dhe Franc Çopja)
Nga një bisedë e bërë në aplikacionin SkyECC mes Franc Çopjes dhe një person të paidentifikuar, ky i fundit e informon Çopjen se është takuar me një person të tretë (gazetar) dhe se i ka kërkuar 120.000 euro.
Në fashikujt e dosjes thuhet se gazetari, emri i të cilit nuk përmendet, e ka pyetur lidhur me emrat e personave të cilët nuk duhet të përmendë për ngjarjen e ndodhur në dhjetor të vitit 2018 ku mbeti i vrarë “Tarzani”, Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Dyranaj, ngjarja e cila sipas prokurorisë është porositur dhe organizuar nga vëllezërit Çopja.
Franc Çopja i ka kthyer përgjigje personit X se gazetari nuk duhet të përmende emrin e Hajdar Bakos, Talo Çelës dhe Altin Ndocit.
Gazetari tjetër është ekspozuar nga i penduari i drejtësisë, Erjon Alibej, për të cilin vëllezërit Çopja jepnin deri në 5 milionë euro për t’a vrarë. Për t’i shpëtuar survejimit të armiqve, Erion Alibej ka rrëfyer para hetuesve dhe GJKKO se përdorte herë pas here makinën e një gazetari, të cilit i jepte pagesa modeste.
Gjithsesi, dosjet kanë treguar se deri më sot nuk kemi miksim të medias me grupet kriminale, siç është konfirmuar rekrutimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të caktuar nga grupet kriminale, duke i përdorur për gjurmimin e kundërshtarëve, mbylljen e dosjeve të tyre dhe rëndimin e pozitave të rivalëve.
Fuqia dhe rënia e grupit Çopja
Edhe pse kishin ngritur një perandori të frikshme financiare, duke krijuar shumë linja pastrimi parash në Shqipëri dhe nuk dinin se ku t’i fshihnin dhjetëra milionë euro nga trafikimi i tonelatave kokainë, ekspozimi dhe rënia e vëllezërve Çopja erdhi kur nisën vrasjet, përfshirë edhe të shokëve, të cilëve u shkonin edhe në varrim.

Në fokus të vëllezërve Çopja për t’u asgjësuar ishin vëllezërit Alibej dhe grupi i tyre, dikur bashkëpunëtorë dhe shokë. Konflikti besohet se ka nisur pas vjedhjes së një ngarkese të përbashkët kokaine, por kjo mund të ishte edhe alibi i grupit Çopja për të eliminuar fizikisht grupin Alibej-Spahiu, për të mbretëruar pa konkurrentë në këtë treg.

(Erjon Alibej i penduar, Endrit Alibej i vrarë)
Lufta nisi me masakrën e Bradasheshit në vitin 2018, ku grupi i Franc Çopjas ekzekutoi Endrit Alibej, vëllai i Erjon Alibej, daja i tyre Arben Dylgjeri dhe miku i tyre turk Erdal Dyranaj. Pas vrasjes, Franc Çopja shkoi dy herë për ngushëllim tek familja Alibej dhe nisi të përhapte fjalë sikur vrasjen e kishte urdhëruar Suel Çela, meqenëse Erion Alibej kishte qëlluar disa muaj më parë drejt Xhoni Rustës, kushëri i Suelit.

(Viktimat turku Dyranaj, Endrit Alibej dhe Dylgjeri)
Por, pas një takimi me Suel Çelën në Holandë dhe vijimit të goditjeve ndaj shokëve të tij, Erjon Alibej u qartësua se kush po investohej për t’a eliminuar.
Vëllezërit Çopja jepnin deri në 5 milionë euro për të eliminuar Erjon Alibej, sot i penduar i drejtësisë. Vëllezërit Çopja në ushtrinë e tyre të vrasësve me pagesë kishin rekruar edhe Dashnor Dumanin, vëllain e Nuredin Dumanit. Nga ana tjetër, Erjon Alibej kishte rekrutuar Nuredin Dumani për të eliminuar njerëzit e vëllezëve Çopja. Pra, dy vëllezërit punonin secili për grupin rival.

(Nuredin dhe Dashnor Dumani)
Madje, grupi Çapja, përmes Talo Çelës kishte kontraktuar Nuredin Dumanin për të vrarë kundrejt 300 mijë eurove në Belgjikë, Arjan Spahinë allias Ardit Spahinë, i cili ishte krahu i djathtë i Alibejt. Arjan Spahiu u vra në lagjen Molenbek të Belgjikës, në vitin 2020, me urdhër të vëllezëve Çopja, por jo nga Dumani.
Klevin Baho, Andi Zylyfi dhe Klevis Kapllani u vranë gjithashtu me urdhër të vëllezërve Çopja gjatë viteve 2019-2020, ndërsa shpëtuan për pak Kei Piku, Irfan Azizi dhe shumë persona të tjerë.
Më pas Nuredin Dumani është kontraktuar nga Mikael Qosja (Kamami), krahu i djathtë i vëllezërve Çopja, për të vrarë vetë Erion Alibejn kundrejt 2 milionë euro. Por, Dumani ka kërkuar 1.5 milionë euro dhe ‘kokën’ e Talo Çelës. Çopjat e dorëzonin Talo Çelën vetëm pasi Dumani të vriste Erjon Alibej.
Palët nuk janë dakordësuar dhe Nuredin Dumani ka kërcënuar Mikael Qosen se do t’i vriste njerëzit e tij. Arsye tjetër se pse Dumani u bashkua me Alibejn besohet se është edhe rrahja e vëllait të tij nga Altin Ndoci, një nga vrasësit me pagesë të grupit Çopja.
Brenda 10 ditëve u vrarë Regis Runaj dhe Emiliano Ramazani në Elbasan, njerëz të Mikael Kamamit dhe vëllezëve Çopja, me urdhër të Erjon Alibejt, në kuadër të kundërpërgjigjes ndaj grupit Çopja.

Besmir Haxhia, ishte identifikuar nga Alibej si një prej pjesëmarrësve në masakrën e Bradasheshit. Haxhia, me precendentë të theksuar kriminalë, ishte njohje e Admir Muratajt, përfshirë në disa grabitje, mes tyre edhe në atë të Rinasit. Haxhia ishte pjesë e skuadrës së vrasësve me pagesë të vëllezëve Çopja ku bënin pjesë Talo Çela, Altin Ndoci etj.

(Vëllezërit Haxhia)
Besmir Haxhia u ekzekutua në 27 prill në Durrës. Bashkë me të ishte dhe vëllai Viktor Haxhia, i cili humbi jetën. Tashmë nga një armik të përbetuar; vëllezërit Çopja dhe Mikael Qosja kishin dy; Nuredin Dumanin dhe Erjon Alibej. Vëllezërit Çopja tentuan disa herë sipas SPAK për të hequr qafet Nuredin Dumanin, i cili në bashkëpunim me Alibejn, po u asgjesonte skuadrën e vrasësve me pagesë. Por, si Dumani, ashtu edhe Alibej, kishin një nuhatje dhe protokoll të rreptë ruajtje.
Sot numri i viktimave do të ishte me dhjetëra, nëse nuk do të kishin ndodhur dy gjëra. Së pari, Nuredin Dumani, në përpjekje për t’a vrarë, u plagos në mars 2022, teksa kishte shkuar për të ekzekutuar Oti Kikën, një tjetër bos kokaine në Elbasan, besohet lidhje e grupit Çopja. Mbase të gjithë palët tashmë ishin të interesuar që killeri të eliminohej pasi dinte shumë dhe ato që dinte ishin një minë me sahat.
Pas plagosjes, Dumani u arrestua dhe u kthye në një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të SPAK-ut. Teksa grupet rivale po përgatiteshin për të eliminuar shenjestrat e radhës, nisi goditja nga SPAK.
Së dyti, autoritetet franceze hakeruan serverat e Sky Ecc dhe Encrochat, duke zbuluar për herë të parë në histori aktivitetin e grupeve kriminale, përmes komunikimeve të sinqerta të figurave të krimit, duke besuar gjithnjë se aplikacioni ishte i sigurtë. Disa prej qindra mijëra komunikimeve të grupeve shqiptare u kthyen nga SPAK në dosje penale, mbi të cilat bazohen operacionet kryesore kundër krimit të organizuar.