Adriatik Lapaj: Do të luftojmë kundër Berishës dhe Ramës, kanë marrë peng vendin

Kreu i Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se mandati i tyre politik do të jetë në opozitë të fortë ndaj klasës aktuale politike.
Në një deklaratë për mediat, Lapaj tha se gjatë këtij katërvjeçari Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ do të vazhdojë të luftojë për depolitizimin e administratës zgjedhore, për hapjen e listave, për ligjin për referendumet, për demokratizimin e Shqipërisë dhe kundër atyre që kanë ngritur një sistem që e kanë marrë peng vendin tonë, duke iu referuar Sali Berishës dhe kryeministrit Edi Rama.
“Të dashur qytetarë, të dashur mbështetës të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, që në zgjedhjet e 11 maj na dhatë mbi 64 mijë vota të vlefshme duke na renditur forcën e tretë politike në këto zgjedhje. Siç dhe e keni dëshmuar, për nga numri i votave, Lëvizja do të duhej t’ju përfaqësonte ju në këtë legjistlaturë, me të paktën 6-7 mandate. Por, sistemi e pamundësoi.
Në këtë legjislaturë, ne do të përfaqësohemi juridikisht me një mandat deputeti, i cili do të dëshironim të vinte nga radhët e listave të hapura. Sërish, sistemi përdori gjithë marifetat e veta, për të mos e lejuar si standard të ri demokratik.
Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, është një lëvizje që është krijuar mbi konceptin e garës dhe meritokracisë, e ne do të vazhdojmë të luftojmë gjatë këtyre katër viteve për depolitizimin e administratës zgjedhore, për hapjen e listave, për ligjin për referendumet, për demokratizimin e Shqipërisë dhe kundër atyre që kanë ngritur një sistem që e kanë marrë peng vendin tonë.
Thënë kështu, nuk mund të jemi ndryshe, përveçse përballë autorëve të pengmarrjes së Shqipërisë, Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në këtë legjislaturë, ne do të përfaqësohemi nga deputetja, zonja Ana Dajko, e cila do të paraqesë në mënyrë periodike, projektligjet e formuluara nga ekipi juridik i Lëvizjes, për të përfaqësuar nevojën për ndryshim të problematikave në fusha të ndryshme të jetës së qytetarëve. Sa më sipër, juridikisht do shihemi në Parlament, politikisht do të shihemi rrugëve të atdheut”, tha Lapaj. / TemA