Anti-KÇK dhe kërkesa SHBA-BE për sundimin e demokracisë

Paketa Anti KÇK e paralajmëruar me bujë dhe e paraqitur në formën e një akti normativ ka marrë të gjithë vëmendjen e opinionit vendas dhe të huaj.

Akti Normativ ka nisur që të zbatohet nga Operacioni Forcave e Ligjit dhe duket se është derivat i aksionit të nisur vite më parë nga policia e shtetit, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. Asaj kohe cilësohej si paketa Antimafia, e u mbështet nga ambasadori amerikan Donald Lu që apelonte me forcë ndëshkimin e peshqeve të mëdhenj që janë të lidhur me politikanë.

Tashmë paketa Anti KÇK ka rikthyer vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët kanë futur në lupë mënyrën se si po e zbatojnë këtë akt normativ autoritete shqiptare; akt normativ që fillimisht u paralajmërua si një “kamzhik” ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë të lidhur me krimin e organizuar, apo që kanë dhënë vendime për të nxjerrë nga hekurat “kapobandat”apo “të fortët”.

Që me miratimin e aktit normativ nga qeveria pati një reagim nga ana e ambasadës amerikane, e cila u tregua e kujdesshme, duke mos shfaqur ndonjë eufori. Miratimi i Anti KÇK ne nje fare menyre u servir nga Rama sikur pati bekimin amerikan.

Takimin e parë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si “rastësi të bukur”, pasi në mbledhjen e mëvonshme Qeveria miratoi paketën Anti-KÇK dhe ligjin special për masat pasurore kundër krimit të organizuar.

Por, a e shfrytëzoi Rama këtë takim të parë me ambasadoren e re amerikane në Tiranë për ta njohur atë me dy nisma, që në muajin nëntor të vitit të kaluar u qortuan nga opozita dhe organizata dhe shoqata të shoqërisë civile në vend?

Postimi i Ramës nuk e pohonte këtë dhe as postimi i mëvonshëm i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk e bën një gjë të tillë. Pra, gjasat janë që në takimin Rama-Yuri Kim dy nismat ligjore të miratuara nga Qeveria si akte normative që hyjnë menjëherë në fuqi, të mos jenë diskutuar.

“E vlerësojmë shprehjen nga Kryeministri të vendosmërisë dhe vullnetit  politik për të luftuar murtajën e krimit të organizuar. Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë  variantin më të fundit të legjislacionit “Anti KÇK.” Presim që të kuptojmë detajet”, reagoi për Gazeta “Si” një zëdhënës i ambasadës amerikane.

Kjo deklaratë tashmë nuk linte më dyshime dhe shkonte kundër asaj që Rama kishte thënë disa ditë më herët, se “anti-KCK ishte miratuar në bashkëpunim të plotë me ndërkombëtarët”. Madje qëndrimin e Ramës e kishte përforcuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në datë 6 shkurt. “Akti Normativ i miratuar nga qeveria do të miratohet ashtu siç ka ardhur dhe ky akt ka mbështetjen e plotë të grupit parlamentar socialist. Çdo ditë që kalon ka mbështetjen e më shumë qytetarëve dhe po ashtu të partnerëve tanë ndërkombëtar. Kryeministri Rama e ka prezantuar këtë paketë në takimin me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe në takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe kjo paketë ka gjetur mbështetje”, u shpreh Balla.

Dy ditë më pas, do të vinte edhe reagimi zyrtar i dy partnerëve kryesorë të Shqipërisë, SHBA-ve dhe BE-së mbi nismën që ende nuk ka kaluar në Parlament dhe që sipas miratimit duhet të dekretohet nga presidenti Meta, i cili është shfaqur skeptik. Ambasada amerikane me anë të një deklarate për median theksoi se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor”.

 | Deklaratë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara mbi Ligjin Anti-KÇKNdërsa vazhdon zbatimi i reformave të…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Sonntag, 2. Februar 2020

Por në pjesën e dytë të deklaratës ambasada amerikane nuk e fsheh shqetësimin që ka për këtë paketë. “Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.

Shtetet e Bashkuara edhe në këtë rast, nuk reshtën së theksuari se për ta është shumë e rëndësishme demokracia, shteti i së drejtës dhe se gjithcka (pra edhe akti normativ anti-KCK) duhej zbatuar brenda këtyre kornizave.

Pothuajse në të njëjtën linjë është edhe qëndrimi i Bashkimit Europian, ku edhe ambasadori Luigi Soreca theksoi se “është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të ndjekë parimet e sundimit të ligjit dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, por duke përfshirë SPAK”.

Luigi Soreca, ambasadori i Delegacionit të BE-së

Duke paralajmëruar se do ta vëzhgojnë nga afër mënyrën se si do të zbatohet një ligj i tillë, BE vijon me komentin e  saj, duke theksuar se “është me shumë rëndësi që masat e reja legjislative të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të pandehurve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit”.

Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë -…

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 5. Februar 2020

Kryeministri Edi Rama disa ditë më parë pati një vizitë zyrtare në SHBA, ku u takua me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Shefi i qeverisë me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se “Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo edhe pse pjesa e Anti KÇK nuk përmendej nga njoftimi zyrtar i DASH.

Paralelisht me këtë vëzhgim të ligjit Anti KÇK, ndërkombëtarët duket se i kanë shtuar përpjekjet e tyre për përshpejtimin ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, siç është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Është pikërisht kjo strukturë sipas pjesë e SPAK, e njohur ndryshe edhe si FBI-ja shqiptare, që do të hetojë çështjet e nxehta. Ambasadorja Kim pak ditë më parë mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 5 ekspertëve të trajnuar nga ambasada e SHBA-ve të Poligrafisë që do të fusin në “makinën e së vërtetës” kreun e BKH-së dhe anëtarët e saj. Në mesazhin e saj, Kim e cilësoi si gur kilometrik të rëndësishëm në përparimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Gjithashtu ambasadorja zhvilloi edhe një takim edhe me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka si detyrë të caktojë gjyqtarët, si dhe pritet të përfshihet në procesin e shqyrtimeve për procedimet e gjyqtarëve që kanë liruar të “fortët” nga burgu.

Ambasadorja Kim gjatë takimi me drejtuesit e anëtarët e KLGJ

“Ambasadorja theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ngritur një sistem drejtësie të paanshëm, bazuar në sundimin e ligjit, ndërsa Shqipëria përpiqet të përmbushë potencialin e saj të plotë duke krijuar institucione të forta demokratike”,  thuhet në një postim në Facebook.

Këto qëndrime të ndërkombëtarë janë një mesazh i qartë ndaj qeverisë shqiptare, se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk mund të realizohet pa respektimin e parimeve të një shteti demokratik, që janë respektimi i institucioneve dhe gjykatave. (SI)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT