Sherri në burgun e Ferit, kjo është thika e improvizuar që u përdor nga të burgosurit

Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur 2 ditë më parë në burgun e Fierit me protagonistë Denis Bajri (Brajoviç), Jurgen Zoto, të dy anëtarë të grupit famëkeq të Shkodrës, dhe Aldo Gjinin.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka siguruar foton e thikës së improvizuar të përdorur nga të burgosurit në sherr që përfundoi me plagosjen e Bajrit dhe të Zotos.

Ditën e djeshme, me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi, u thirr Komisioni i Disiplinës për të shqyrtuar kërkesën e pezullimit nga detyra të 6 efektivëve që ishin në detyrë gjatë kohës që ndodhi konflikti për moszbatim të rregullave të punës. Vendimi i komisionit pritet të bëhet me dije në vijim.

Prokuroria e Fierit ka nisur hetime për të zbuluar nëse ngjarja ishte e porositur apo konflikt banal. Denis Bajrit i është marrë dëshmia, sipas së cilit Gjini dhe Zoto e kanë thirrur e më pas e ka sulmuar me mjete prerëse të improvizuara.

Denis Bajri akuzohet si pjesëmarrës në atentatin e Gjin Ndojit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 për llogari të Ervis Martinajt. Bajri u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe më 27 shkurt 2024 e më pas është ekstraduar drejt Shqipërisë. Jurgen Zoto ndodhet në burg i akuzuar për vepra penale si vjedhja apo armëmbajtja pa leje.

Aldo Gjini, akuzohet për trafikun e 2.4 ton marijuane e kokainë drejt vendeve të Evropës, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, konkretisht pjesë e grupit të Rrajave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT