Zjarri shkrumboi mbi 50 hektarë në Koilaç të Mallakastrës, banorët të dëshpëruar: Na u dogjën të gjitha, dëme të mëdha!

Zjarret po lënë një faturë të kripur për banorët e zonave rurale, kryesisht fermerë e bujq.

Mbi 50 hektarë tokë me ullishte, vreshta, sera diellore dhe pemëtari janë përfshirë nga flakët në fshatin Koilaç të Mallakastrës.

Ky është bilanci paraprak i dëmeve të shkaktuara nga zjarri i dy ditëve më parë, i cili për pak orë rrezikoi seriozisht edhe banesat e fshatit.

Zjarri ka nisur rreth orës 14:00 të së shtunës, në periferi të fshatit. Të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me ullishte, vreshta, sera dhe pemë frutore.

Të alarmuar, banorët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe policinë. Forcat në terren kanë ndërhyrë për të frenuar avancimin e flakëve, ndërsa për shkak të rrezikut janë evakuuar edhe banorë të zonës.

Për banorët e Koilaçit, mbrëmja e së shtunës ka qenë një prej momenteve më të vështira që kanë përjetuar. Me lot në sy, ata tregojnë tmerrin e përjetuar teksa flakët afroheshin drejt banesave dhe shkrumbonin gjithçka gjenin përpara.

Banorët kërkojnë që dëmet të vlerësohen sa më shpejt, pasi për shumë prej tyre ullishtet dhe vreshtaria janë i vetmi burim të ardhurash. Ata thonë se dëmet janë të konsiderueshme dhe arrijnë në mijëra lekë, ndërsa pasojat për ekonominë e familjeve pritet të jenë afatgjata, informon TCH.

Sipas banorëve, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në një shtyllë të tensionit të lartë. Shkaku i saktë i rënies së zjarrit pritet të përcaktohet nga hetimet.

Tashmë, pasi flakët janë shuar, në Koilaç kanë mbetur tokat e nxira dhe dhjetëra hektarë prodhim e pasuri të shkrumbuar. Banorët presin vlerësimin e dëmeve dhe mbështetje për të përballuar pasojat e zjarrit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT