9 vite pas ‘21 janarit’, familjarët e Ziver Veizit: Jemi ngopur me drejtësinë!

9 viteve pas vrasjes së katërfishtë në Bulevard, familjarët vijojnë të enden dyerve të Gjykatave në kërkim të së drejtës së tyre.

Familjarët e Ziver Veizit ishin sot pranë varrit të tij, ku shprehën edhe njëherë zhgënjimin e madh nga sistemi i drejtësisë.

“Nuk kemi asgjë për të folur. Jemi ngopur me drejtësinë. Nuk kërkojmë asgjë. Jemi ngopur në 9 vjet”, deklaroi një prej familjarëve.

Por, duket se për ta dhe për të gjithë shqiptarët ka ende një shpresë të vogël, SPAK. Teksa kërkojnë me ngulm vendosjen e drejtësisë për viktimat, familjarët e Ziver Veizit e shohin SPAK si një “dritë në fund të tunelit”.

Ata pranojnë se drejtësia nuk është vënë në vend, por janë besimplotë se institucionet e reja do t’ia arrijnë.

“Sot kërkojmë me këmbëngulje edhe pas 9 vitesh drejtësi. Kërkojmë me këmbëngulje, sepse edhe pas 9 viteve shohim që ende drejtësia nuk ka folur për 21 janarin. Mendojmë dhe shpresojmë që për 21 janarin, sa më shpet të jetë e mundur të jepet drejtësia e duhur për ata që u vranë në mes të bulevardit, në protestën e tyre të ligjshme.

Humbja e shpresës së shqiptarëve te drejtësia ka një të vërtetë të madhe, sepse ka munguar. Shpresojmë që SPAK të vërë drejtësi për 21 janarin dhe të rikthejë besimin e  shqiptarëve të drejtësia”, u shpreh një nga familjarët e Ziver Veizit.

Më 21 janar të vitit 2011, 4 persona u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë një proteste të organizuar nga Partia Socialiste, atëkohë në opozitë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT