DOKUMENTET/ Asim Vokshi, agjent sekret? KED zbardh faktet: Institucionet e sigurisë nuk gjetën të dhëna negative për gjyqtarin

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga Top Channel më 10 nëntor 2025, i cili ngrinte dyshime për shkelje të procedurave në verifikimin e integritetit të kandidatit për Gjykatën e Lartë, Asim Vokshi. Në një deklaratë zyrtare të titulluar “Kundërargument”, KED mohon kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato “pa bazë faktike dhe ligjore”.

Sipas dokumentit, KED me vendimin nr. 14, datë 17 qershor 2025, i është drejtuar të gjitha autoriteteve të sigurisë dhe kontrollit të integritetit – përfshirë AKSIK, AMP, AIDSSH, SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjykatat – për informacion mbi kandidatin. Në të gjitha përgjigjet zyrtare, thuhet se nuk kishte asnjë të dhënë negative për Asim Vokshin. KED thekson se këto verifikime janë dokumentuar në vendimin e sipërpërmendur dhe i janë bërë pjesë e dosjes përfundimtare.

Këshilli pranon se pas vendimit nr. 14/2025 ka marrë një shkresë të klasifikuar “sekret” nga AKSIK, por sqaron se ka hapur menjëherë një hetim administrativ dhe ka zhvilluar dy mbledhje të mbyllura më 11 dhe 16 shtator 2025. Sipas KED, pas verifikimeve me AKSIK dhe institucionet e tjera të sigurisë, nuk u konstatua asnjë informacion i ri apo i verifikueshëm që të ndryshonte përfundimet e mëparshme. Për këtë arsye, nuk kishte bazë ligjore për rishikim të vendimit. (Vendimi nr. 27, datë 17.09.2025).

Në reagim theksohet se procesi i vlerësimit ka qenë transparent dhe se në çdo mbledhje ka marrë pjesë një përfaqësues i Avokatit të Popullit si vëzhgues institucional. KED sqaron se mbledhjet e mbyllura kishin të bënin me informacion të klasifikuar “sekret”, i cili sipas ligjit nuk mund të bëhet publik.

Dokumentet i janë vënë në dispozicion Gjykatës së Lartë

Në lidhje me akuzën se kryetari i KED, njëkohësisht Kryetar i Gjykatës së Lartë, ka fshehur dokumente nga trupa gjyqësore, KED thekson se në datën 23 shtator 2025 ka depozituar të gjithë dokumentacionin në Gjykatën e Lartë – përfshirë vendimet, raportet dhe verifikimet nga institucionet përkatëse. Vendimi nr. 2, datë 30 shtator 2025, sipas KED, provon se dokumentet kanë qenë në dispozicion të gjyqtarëve një javë përpara mbledhjes për votim, dhe se në procesverbalin përkatës nuk është regjistruar asnjë vërejtje për mungesë informacioni.

Këshilli mohon gjithashtu akuzat për ndikim të njëanshëm nga ana e kryetarit të tij, duke theksuar se pikëzimi i kandidatëve bëhet në mënyrë të pavarur nga të nëntë anëtarët dhe se kryetari nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vlerësimet individuale.

Në përmbyllje, KED thekson se ka vepruar në mënyrë “tërësisht ligjore, të dokumentuar dhe transparente”, duke ndjekur të gjitha procedurat për verifikimin e integritetit të kandidatëve. Sipas Këshillit, pretendimet e ngritura nga Top Channel bien ndesh me dokumentet zyrtare të institucioneve shtetërore dhe “përbëjnë interpretime të pasakta të një procesi të rregullt ligjor”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT