Tragjike! Humb jetën në moshën 29-vjeçare ish-banori i “Big Brother VIP”

Laurent Krasniqi, TikTokeri i njohur dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë rrugor. Ai ishte vetëm 29 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Llukar të Prishtinës, ku Krasniqi dyshohet se u përfshi në një aksident teksa po udhëtonte me motor.

Pas përplasjes, 29-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve mjekësore në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e rënda të shkaktuara nga aksidenti rezultuan fatale. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar edhe nga burime të “Prive By Liberta Spahiu”.

Krasniqi ishte një personazh i njohur në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku kishte krijuar një audiencë të konsiderueshme. Emri i tij u bë edhe më i njohur pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Kosova”.

Vdekja e tij ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale, ndërsa shumë prej ndjekësve dhe personave që e njihnin kanë shprehur ngushëllimet për familjen.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit dhe shkaqet që çuan në ngjarjen tragjike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT