Incidenti me dronët në Gjermani, Finlanda thërret ambasadorin rus për sqarime

Finlanda ka vendosur të thërrasë ambasadorin e Rusisë në Helsinki pas incidentit me dronë të regjistruar pranë aeroportit të Leipzig në Gjermani.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen, gjatë mbërritjes në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Irlandë.

Valtonen deklaroi se Helsinki mbështet përpjekjet e Gjermanisë për të rritur presionin ndaj Moskës lidhur me incidentin.

Sipas autoriteteve gjermane, në fillim të gushtit pranë një avioni ukrainas transportues në aeroportin e Leipzig u zbulua një dron që dyshohet se ishte i pajisur me eksplozivë.
Në të njëjtën zonë u gjet edhe një dron i dytë, i cili, sipas qeverisë gjermane, kishte gjithashtu shenja se mund të mbante lëndë shpërthyese.
Qeveria gjermane ka bërë përgjegjëse Rusinë për incidentin, ndërsa çështja ka shkaktuar reagime edhe në nivel europian.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka njoftuar se edhe Bashkimi Evropian do të thërrasë ambasadorin rus në Bruksel për t’i kërkuar sqarime lidhur me ngjarjen.

Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Suedia. Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, thirri ambasadorin rus në Ministrinë e Jashtme pas incidentit.

Ky nuk është rasti i parë i përplasjes diplomatike mes Finlandës dhe Rusisë. Valtonen kishte thirrur më herët ambasadorin rus në Helsinki, Pavel Kuznetsov, në korrik, për shkak të akuzave lidhur me aktivitetet kibernetike të Moskës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT