Trump: Jemi gati të godasim sërish Iranin –

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin një tjetër sulm kundër Iranit “kurdo që të dëshirojnë”.

Ai tha se forcat amerikane kryen një “sulm shumë të fuqishëm” kundër pajisjeve të reja ushtarake iraniane.

Sipas Trumpit, gjatë operacionit u shkatërruan sisteme mbrojtëse dhe sulmuese që Irani po përpiqej t’i vendoste pranë Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti amerikan pretendoi se Uashingtoni tashmë kontrollon këtë rrugë ujore strategjike. Ai theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të lejohet të zotërojë armë bërthamore.

Autoritetet iraniane deklaruan se nga sulmet amerikane të së martës humbën jetën 18 persona dhe u plagosën 108 të tjerë. Teherani akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin goditur zona civile dhe infrastrukturë të vendit.

Ministria e Jashtme iraniane bëri të ditur se dhjetëra persona u vranë ose u plagosën gjatë një sulmi ndaj një ceremonie martesore në Hormozgan.

Irani i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të reagojë ndaj veprimeve që i cilësoi shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, paralajmëroi se Teherani do t’u përgjigjet sulmeve “me vendosmëri”.

Forcat iraniane njoftuan se kishin sulmuar me raketa dhe dronë baza amerikane në Irak, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt.

Garda Revolucionare pretendoi se gjatë sulmit ndaj bazës ajrore Ali Al Salem në Kuvajt u vranë ushtarakë amerikanë dhe u shkatërruan dronë, por pretendimi nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Kuvajti i dënoi sulmet iraniane dhe ritheksoi të drejtën për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tij.

Katari paralajmëroi se përshkallëzimi i ri mund të dëmtojë përpjekjet diplomatike për rivendosjen e stabilitetit në rajon.

Shkëmbimi i sulmeve ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT