FOTO: Nuk duhej të ndodhte! Fluks drejt Korçës pas urdhërit për izolim

Johana Lubonja / Dita Korçë
Masat ndaj Covid-19 duken ekstreme, por mbeten e vetmja mënyrë për të reaguar në kushtet e një pasigurie botërore për sjelljen e ardhshme të virusit.
Vendimi i fundit i qeverisë në Shqipëri ishte bllokimi dhe izolimi i kryeqytetit, ku janë shfaqur rastet më të shumta.
Por banorë të Tiranës dhe Durrësit kanë marrë rrugën masivisht në drejtim të Korçës, pak orë pas daljes së urdhërit të Qeverisë për mbylljen e institucioneve dhe orientimin për të punuar nga shtëpia në administratë dhe shumë kompani private.
Rruga drejt Korçës dje pasdite ka patur shumë trafik, sidomos pjesa e aksit Elbasan-Librazhd, dhe Perrenjas-Qafthanë.
Në momentin kur të gjithë duhet të rrinin të mbyllur sipas rekomandimit nga ekspertët e fushës të cilët kërkojnë karantinimin personal, sa më pak kontakte dhe shumë higjienë personale, treguam edhe njëherë mungesë përgjegjshmërie duke marrë automjetet dhe duke u “vërsulur” drejt Korçës, a thua se atje nuk të kap koronavirusi.
Përhapja e sëmundjes edhe në Korçë e më pas në zonën juglindore të vendit do jetë e afërt pas një sjelljeje të tillë.
Deri tani nuk ka raste të raportuara. Janë bërë të paktën 12 testime.
Edhe pse me këtë dyndje, fotot e mëposhtme, të bëra gjatë ditës së sotme (13.03.2020) tregojnë se situata nuk ka ndryshim nga Tirana apo Durrësi.
Njerzit janë izoluar nëpër shtëpi dhe sheh shumë pak lëvizje në rrugë.
Frika nga “armiku i padukshëm” ka mbyllur kështu edhe qytetet të cilat nuk kanë ende asnjë rast të konfirmuar.
Madje fluksi it ë ardhurve nga Tirana e ka shtuar edhe më tepër këtë frikë duke i mbyllur qytetarët korçarë nëpër shtëpitë e tyre.
Edhe ata që dalin për të blerë ushqime apo ilaçe, mbajnë doreza dhe maska.
Bashkia e Korçës ka bërë me dije se nga bujtinat dhe hotelet e Bashkisë Korçë rreth 41 subjekte kanë mbyllur aktivitetin, 30 subjekte nuk kanë rezervime dhe një pjesë kanë 2 ose 3 dhoma të rezervuara (shumica janë prej disa ditësh të akomoduar).





