Ndërhyrjet e huaja dhe lajmet e rreme në fokus, Kuvendi krijon mekanizëm të ri monitorimi

Ndërsa së fundmi është hapur debati mbi ndërhyrjet e huaja dhe shpërndarjen e informacioneve të rreme në media nga vende jomiqësore, Kuvendi po forcon mekanizmat për ta vënë nën monitorim këtë aktivitet.
Këtë të hënë, në Kuvend u ngrit një nënkomision, që do të ketë në fokus ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.
Ky nënkomision, për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja, ka si objektiv të tij ndjekjen, analizimin dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me ndërhyrjet e huaja, shpërndarjen e informacioneve të rreme, me synime dashakeqe ndaj vendit tonë, dezinformimin dhe manipulimin informativ.
Jo vetëm median tradicionale, por edhe hapësirën dixhitale.
Po ashtu, në dokumentin e këtij komisioni thuhet se synohet edhe rritja e transparencës në mjedisin informativ, si dhe forcimi i edukimit mediatik dhe ndërgjegjësimi i publikut për atë çka krijon dezinformimi.
E gjitha prek edhe proceset demokratike në vend dhe ato zgjedhore.
Në mbledhjen e ardhshme, anëtarët e këtij nënkomisioni do të hartojnë programin e punës. Por, për veprimtarinë e punës, ky nënkomision do të koordinohet me institucionet e sigurisë kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një mekanizëm i tillë është ngritur edhe nga Parlamenti Europian, 6 muaj më parë, dhe në vijim mund të ketë bashkëpunim mes dy komisioneve për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe krijimin e mekanizmave institucionalë të specializuar për identifikimin dhe adresimin e këtyre kërcënimeve në përputhje me standardet europiane.