Meta zbardh shkeljet e Kushtetutës nga ligji për “betimin”

Presidenti Ilir Meta ka zbardhur arsyetimin e dekretit që rikthen në parlament ligjin e miratuar nga mazhoranca, që i heq Presidencës ekskluzivitetin e betimit për gjyqtarët e lartë dhe gjyqtarët kushtetues.

Presidenti thotë se ligji bie ndesh me nenin 129 të Kushtetutës, një prej neneve të pakta që nuk kanë ndryshuar në ligjin themeltar që prej vitit 1998, kohë kur u hartua dhe u hodh për votim në referendumin e 22 nëntorit të atij viti.

Nëni në fjalë sanksionon se “gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

“Neni 129 i Kushtetutës është një ndër nenet e pakta të Kushtetutës sonë që përbëhet vetëm nga një fjali. Kjo dispozitë kushtetuese, që flet posaçërisht për betimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, e ka konsideruar kaq të veçantë e të rëndësishëm këtë moment për të legjitimuar fillimin e ushtrimit të detyrës për gjyqtarin kushtetues, sa është vlerësuar nga kushtetutëbërësi të vihet në një dispozitë më vete”, thotë Presidenca.

Meta deklaron gjithashtu se ligji i miratuar nga mazhoranca bie ndesh edhe me nenin 4 të Kushtetutës, ku përcaktohet hierarkia e ligjeve, në krye të të cilëve qëndron pikërisht Kushtetuta. Për të ilustruar këtë, Presidenca sjell jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

“Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet, ose të tejkalohet duke u dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim rrjedh nga përmbajtja e nenit 4 pika 3 të Kushtetutës. Në rastet kur Kushtetuta le hapësira me qëllim delegimin e kompetencës ligjvënësit të zakonshëm, atëherë, nuk është e nevojshme referimi tek kjo dispozitë, pra e zbatimit të drejtpërdrejt të saj. Nëse ndodhemi para kësaj situate, është e pritshme që aktet normative që do të dalin për këtë qëllim të respektojnë hierarkinë e akteve normative”, thotë Meta.

Megjithatë, Ilir Meta është i bindur se shkelja në fjalë nuk mbërrin nga padija, por është në vazhdën e shkeljeve të tjera, që sipas tij kanë për synim kapjen dhe kontrollin e Gjykatës Kushtetuese.

“Mazhoranca, e pandalur në tentativat e saj për të uzurpuar çdo pushtet në Republikën e Shqipërisë, ka vijuar aktivitetin e saj për të arritur si “trofe final” edhe kapjen e të gjitha emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që për këto shkelje të rënda të kryera me miratimin e ligjeve antikushtetuese, mazhoranca të ketë garancinë se do të qëndrojnë në fuqi në çdo gjykim përpara kësaj gjykate”, thotë Presidenti.

Meta thotë se që prej 2017 e deri më tani, mazhoranca ka miratuar 21 ligje që shkelin rëndë Kushtetutën dhe që i kanë shërbyer mazhorancës dhe Parlamentit, që e cilëson monopartiak që të uzurpojë të gjitha institucionet e tjera të pavarura.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT