Basha refuzon ftesën: Nuk e takoj Ramën dhe e kam thënë 10 herë, s’dua më foto dhe shfaqje me të. Po na turpëron

Lulzim Basha ka dhënë këtë të mërkurë një shpjegim për arsyet se përse deri më tani ka refuzuar të takohet me kryeministrin Rama, megjithëse ky i fundit i ka bërë disa ftesa.
Kreu i demokratëve thotë se nuk i pëlqen të bëjë fotografi por reforma.
A do të uleni në tryezë me Ramën?
Përgjigjen për këtë pyetje e keni marrë 10 herë. Më vjen keq por nuk kam asgjë tjetër për të shtuar përveçse asaj që kam thënë për këtë. Fokusi im, energjia ime dhe e Partisë Demokratike është të ndihmojmë me çdo mënyrë, me çdo formë njerëzit dhe jo të bëhemi pjesë e një shfaqje që po na turpëron dhe po na shton dhimbjen dhe vuajtjen e qytetarëve.
Zoti Basha pse nuk mendoni se mund të jetë kjo një mënyrë për të treguar se jeni në ndihmë të qytetarëve?
Lulzim Basha: Përgjigjen për këtë pyetje e keni marrë me dhjetëra herë. Fokusohuni tek mesazhi që sapo ju dhashë: Dialogu politik për reformën zgjedhore, zhbllokimi i dialogut politik për reformën zgjedhore sipas propozimit të shtatorit. Reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve përcaktojnë cilësinë e demokracisë, jo fotot dhe shfaqjet midis kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës.