Qëlloi me armë policinë gjatë operacionit antikanabis në malësinë e Pukës, shpallet në kërkim 30-vjeçari! Ruante parcelat

Policia e Shkodrës sot (24 gusht) ka shpallur në kërkim një 30-vjeçar nga fshati Kodërbojë i Pukës, pasi dyshohet se ruante i armatosur një parcelë me bimë narkotike.
Ngjarja ndodhi më 22 gusht, gjatë kontrolleve të territorit për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë konstatuan një parcelë ku ishin kultivuar 120 bimë të dyshuara narkotike. Pranë parcelës, efektivët kanë konstatuar një person të armatosur, i cili është larguar me shpejtësi sapo ka parë forcat e policisë.
Pavarësisht urdhrit për të ndaluar, 30-vjeçari nuk i është bindur policisë dhe është larguar, duke përfituar dhe nga terreni i vështirë.
Një prej efektivëve ka qëlluar në ajër për ta paralajmëruar që të ndalonte, por ai ka mundur të largohet. Pas veprimeve hetimore, policia ka bërë të mundur identifikimin e tij si shtetasi me inicialet K. L..
30-vjeçari dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike dhe i ruante ato i armatosur me armë zjarri. Aktualisht vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
“Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, pasi ishte i armatosur, identifikohet dhe shpallet në kërkim 30-vjeçari.
Gjatë kontrollit të territorit në fshatin Kodërbojë, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, më datë 22.08.2026, konstatuan një parcelë ku ishin kultivuar 120 bimë të dyshuara narkotike.
Gjithashtu, në afërsi të parcelës, konstatuan një shtetas të armatosur, i cili, pasi ka konstatuar praninë e punonjësve të Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Një prej punonjësve të Policisë qëlloi në ajër, me qëllim paralajmërimin e tij për të ndaluar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni i vështirë, ka mundur të largohet.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i tij, konkretisht shtetasi K. L., 30 vjeç, banues në fshatin Kodërbojë, Pukë, i cili u shpall në kërkim.
Ky shtetas dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike të konstatuara në parcelë dhe i ruante ato i armatosur me armë zjarri. Vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 30-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
