Detaje tronditëse nga krimi në Kosovë, bashkëshorti vrau gruan tetë muajshe shtatzënë! Mister motivi dhe se si mbeti i plagosur rëndë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja për ngjarjen e rëndë në Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare shtatzënë humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri.
Sipas organit të akuzës, bashkëshorti i saj është personi i dyshuar për ngjarjen dhe ndodhet gjithashtu në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit, kur Policia e Kosovës u njoftua për të shtëna me armë zjarri. Efektivët që mbërritën në banesë gjetën në një dhomë gjumi çiftin të plagosur.
Të dy u transportuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por gjendja e të resë ishte kritike.
Prokuroria: Bashkëshorti është i dyshuari
Në njoftimin e saj, Prokuroria Themelore në Gjakovë bën të ditur se bashkëshorti i viktimës dyshohet për ngjarjen.
Sipas Prokurorisë, gruaja humbi jetën në QKUK si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa edhe i dyshuari ka marrë plagë të rënda dhe po trajtohet në spital.
Gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë dhe kritike për jetën. Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë të ditur dinamikën e plotë të ngjarjes apo rrethanat në të cilat janë shkrepur të shtënat. Këto elemente janë pjesë e hetimit.
Një nga detajet më tragjike të ngjarjes është se 25-vjeçarja ishte shtatzënë në javën e 34-t.
Ajo u dërgua në QKUK me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor dhe masave reanimatore, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Trupi i saj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet autopsisë.
Dy vepra penale në hetim
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje, ndërsa hetuesit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po mbledhin prova dhe po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht atë që ka ndodhur.
Deri tani, Prokuroria e konsideron bashkëshortin si të dyshuar për ngjarjen, por rrethanat dhe motivi i të shtënave mbeten objekt i hetimit.