Del foto e Prelë dhe Lekë Gjonit, babë e bir që u ekzekutuan në Dukagjin

Është publikuar fotoja e Prelë Gjonit, 82 vjeç, dhe djalit të tij, Lekë Gjonit, 57 vjeç, babë e bir që mbetën të vrarë në atentatin e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Dukagjin.

Dy viktimat po udhëtonin me automjet drejt zonës së Grudës, pasi kishin qenë në banesën e tyre të vjetër në Dukagjin, kur u vunë në shënjestër të një sulmi me armë zjarri.

Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili ishte ulur në pjesën e pasme. Ai mbeti i plagosur nga të shtënat, por i mbijetoi atentatit dhe, pas transportimit në Tiranë për trajtim të specializuar, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mbi 50 gëzhoja në vendngjarje

Atentati dyshohet se ndodhi rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Autorët hapën zjarr në drejtim të automjetit, duke qëlluar me breshëri.

Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa të dhënat paraprake flasin për përdorimin e dy armëve të zjarrit, një kallashnikov dhe një MP5.

Përdorimi i dy armëve ka ngritur dyshimet e hetuesve se në sulm mund të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.

Autorët u larguan në terrenin malor

Pas atentatit, autorët kanë mundur të largohen nga zona përpara mbërritjes së forcave të policisë. Terreni i thepisur dhe i vështirë malor i Dukagjinit dyshohet se ua ka lehtësuar arratisjen.

Policia dhe forcat RENEA vijojnë kërkimet në zonë, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e motivit të atentatit.

Prelë Gjoni dhe djali i tij, Lekë Gjoni, u vranë në një pritë të armatosur që tronditi zonën e Dukagjinit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT