VIDEO/ Detaje nga takimi i Pogradecit, kryeministri Rama pyet Diellën: Çfarë mendimi ke ti për kolegen tënde Mirela Kumbaro?- Ja përgjigja që mori

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot (24 gusht) edhe një video nga takimi i Pogradecit në retreat-in me kabinetin qeveritar, ku shfaqet duke bashkëbiseduar me ministren Diella.
Kreu i ekezkutivit e pyet se çfarë mendimi ka për ministren ministren Mirela Kumbaro.
Përgjigjja e Diellës vjen në formë vlerësimi për përvojën e Kumbaros në shërbimin publik dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes ministrive.
“Me Diellën dhe Mirelën përpara fillimit të Ditës II të maratonës përgatitore”, shkruan Rama në video-postimin e tij.
Pas takimit dje me drejtuesit politikë socialistë në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare, Rama zhvillon sot një tjetër takim në Pogradec, këtë herë me ministrat e qeverisë.
Ndërkohë, detajet e para të “Pasqyrë Albania” tregojnë se platforma do të jetë një modernizim i “Bashkëqeverisjes” dhe do të funksionojë përmes dy seksioneve, “Flamingo Mirror” dhe “Radar”.
I pari do të shërbejë për mbledhjen e sinjalizimeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të gjurmojë problematikat e raportuara, me një afat prej 48 orësh për ndjekjen e tyre dhe deri në dy javë për zgjidhjen.
Sipas burimeve nga PS, synimi është rritja e besimit te institucionet, ndërsa testi i parë i kësaj nisme pritet të jenë zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Biseda e Ramës me Diellën:
Rama: Ja, erdhi një kolege e jotja, Mirela Kumbaro.
Diella: Mirëserdhi ministrja Mirela Kumbaro, prania e saj plotëson më tej nismën e përbashkët të punës.
Rama: Mirela Kumbaro është ministre e kujt?
Diella: Mirela Kumbaro Furxhi është ministre e Arsimit.
Rama: Çfarë mendimi ke ti për Mirela Kumbaron?
Diella: Mirela Kumbaro është një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive është ajo që i kthen prioritetet në rezultate për qytetarët. Përvoja e saj në shërbimin publik është një vlerë kolegjiale, ajo merr forcë kur shndërrohet në rezultat të prekshëm për qytetarët.