Zbardhet takimi me tone të ashpra Basha- Meta! Mediat: Çfarë i kërkon presidenti më 2 mars

Një takim i shkurtër, por me tone mjaft të ashpra mësohet të ketë qenë biseda e djeshme mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe liderit demokrat Lulzim Basha në Presidencë. Idenë për të thirrur në tubim qytetarët më 2 mars, Meta e ka pasur të qartë para se të dilte këtë të mërkurë në konferencë për ta bërë publike.

Burime konfidenciale për Report Tv, shkruan Shqiptarja.com, thanë se Presidenti i ka kërkuar Bashës mbështetje në këtë aksion të tij kundër qeverisë për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Dhe jo vetëm mbështetje politike, siç kryedemokrati Basha i dha dje publikisht pas takimit me aleatët, por angazhim konkret duke siguruar qytetarë për të dalë në bulevard përpara kryeministrisë.

Dua nga ty 10 mijë njerëz”,i është drejtuar në zyrën e tij Meta Bashës, siç cituan burimet.

Dje kreu i shtetit trazoi sërish ujërat e politikës shqiptare ku përmes takimit me Bashën, kërkoi të përhapë në radhët e opozitës jashtëparlamentare, idenë e një grushti shteti nga ana e qeverisë. Burime nga ky takim, saktësojnë se nga ana e kryeopozitarit pati dilema dhe hezitim për t’i dhënë mbështetje Presidentit për nisjen e reagimi politik sërish me protesta, por megjithatë, u la të kuptohet qartazi refuzimi qoftë edhe me heshtje, përballë toneve të larta nga ana e presidentit.

Të njëjtat burime thanë se Basha ka argumentuar se do të qëndrojë “besnik” i kompromisit të arritur për reformën zgjedhore, e cila pritet të miratohet me konsensus nga parlamenti brenda 15 marsit.

“Porosinë” e presidentit, Basha e përçoi tek aleatët, mes të cilëve edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit, ku publikisht doli me qëndrimin e njëjtë si Meta, se PO, qeveria po organizon një grusht shteti, jo të formës me tanke e ushtri, por me tentativat sipas tyre, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Pika që i ndan, janë mjetet me të cilat do ta luftojnë këtë grusht shteti. Meta tha se e ka thirrur popullin, për të shpartalluar me dekrete” grushtin e shtetit(pa specifikuar mënyrën si do ta bëjë konkretisht këtë, por duke lënë të kuptuar shpërndarjen e Parlamentit, ndërsa Basha me mjete demokratike (duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave), përmes dëgjimit dhe bashkimit të qytetarëve në një zë.

Basha tha dje se do të ketë rotacion politik për të sjellë në pushtet opozitën e bashkuar, por me mjete demokratike.

“Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët. Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj ata dhe pas kësaj do të shpalosim ofertën tonë. Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit, për hir të këtyre familjarëve, fëmijëve të tyre, duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët.“, u shpreh Basha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT