Më 2 Mars, Ilir Meta kthehet në president partiak!

Përplasjet e vazhdueshme mes mazhorancës dhe Presidentit kanë sjellë një situatë shumë të tensionuar, jo vetëm jurdike që vinte me dekrete e zhdekrete por tanimë edhe me përplasje politike.
Ilir Meta është shfaqur shumë i nervozuar ditët e fundit teksa ka dalë në disa konferenca të njëpasnjëshme. Kryefjala e tij në të gjitha daljet ka qenë e njëtjë. Sipas tij në Shqipëri aktualisht po tentohet një grusht shteti, që po organizohet nga parlamenti dhe mazhoranca.
Po sipas tij rezultat i këtij grushti është kapja e shtetit dhe e insitucioneve në tërësi. Ndaj edhe thotë se është i vendosur deri në fund që ta “shpartallojë” këtë tentativë për grusht shteti dhe se do të mbrojë kushtetutën me çdo kusht.
Madje qoftë edhe duke dalë në shesh. E pikërisht për këtë ai edhe i bëri thirrje qytetarëve që më 2 mars të mblidhen në bulevard për të shpartalluar sipas tij grushtin e shtetit.
Por kujt po ja drejton këtë thirrje Ilir Meta?!
Nuk ka kaluar pak orë dhe thirrja e tij është shpërndarë furishëm nga shumë simpatizantë e mbështetës të LSI-së, partisë që më parë ka drejtuar presidenti dhe që tashmë e drejton e shoqja e tij.
Gjithashtu ka pasur reagime dhe mbështetje paraprake edhe nga mbështetësit e Partisë Demokratike që në këmbim të rrëzimit të Ramës, janë të gatshëm që t’i bashkohen thirrjes së Ilir Metës.
Por përfshirja e LSI-së dhe e PD-së në këtë organizim e bën direkt Ilir Metën që të jetë një president partiak, siç edhe në fakt është akuzuar gjatë gjithë kësaj kohe.