Është në delir

Nga Bedri Islami

Edi Rama, shefi i qeverisë, është në delir. Në delir politik, pasi Konferenca e Donatorëve shkoi tej parashikimit të tij dhe mund të quhet si arritje politike kryeministrore; në delir panballkanik, pasi, megjithë zërin e arsyes që të mos ketë ngutje në krijimin e një fronti minishengenist, që në fakt nuk është i tillë, shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar sivëllain kryeministër në Kosovë, se ky “fondacion” do të bëhet edhe pa qenë Kosova e pranishme; në delir tërmetor, pasi dalldia i thotë se vetëm ai do e mund këtë fatkeqësi natyrore; në delir qeveritar, pasi i duket se i gjithë ekipi i tij është më i miri i krijuar ndonjëherë në këtë vend; në delir pëpëpëist, pasi, edhe pse struktura të rëndësishme ndërkombëtare i kanë bërë thirrje të ketë kujdes nga kjo rëndesë humnerizuese, ai e vazhdon rrugën e dhënës së koncesioneve mostra, e në fund, edhe në një delir parlamentar, pasi tani, në atë parlament, askush nuk i thotë mos, dhe , edhe nëse dërgon ndonjë dekret për shpalljen e tij si mbreti i Parë Edi, ata do të ngrinin kartonat.

Deliri politik: Konferenca e Donatorëve, mbi të gjitha, ishte një shtysë për të ndihmuar një shtet, të cilit i merren këmbët dhe ku ekonomia e tij është drejt rënies së paparashikuar. Është një fat i pazakontë që më shumë se 100 shtete bëhen bashkë për të ndihmuar një shtet ballkanik, më shumë ngatërrestar nga qeveritë e tij, se sa tolerant e ndërtues; është fat që donacionet – dhuratë ishin në një lartësi që mund të mbulojnë të gjithë dëmet e tërmetit, ishte fat, po ashtu, që donacionet – kredi, janë me një interes shumë të ulët e nganjëherë pa asnjë shtesë.

Shuma më e madhe, afër 800 milionë euro janë më shumë për të ardhmen, se sa për të sotmen, dhe duhet të besojmë tek kontrolli i rreptë i strukturave ndërkombëtare për menaxhimin e tyre.

Në momentin kur mbarojnë donacionet – dhuratë dhe fillojnë kreditë, duhet të mbarojë edhe deliri politik i shefit të qeverisë.

Nëse ky delir vazhdon edhe më tej, o të thotë se asgjë nuk është mësuar nga shtatë vitet e shkuara dhe, si duket, asgjë nuk e ka ndër mend të mësohet.

Fati i tij, edhe në këtë rast, është opozita, ose më saktë, një pjesë e saj, e cila, edhe kur përfaqësohet nga gratë e politikës, del në skenë me një gjuhë halabake, e pabesuar dhe meskine.

Deliri panballkanik: shumë vite më parë, ka qenë krejt e mundur që politika perëndimore të kenë parë tek Edi Rama modelin e mundshëm të një lideri europian në trevat ballkanike, ndaj edhe e kanë mbajtur më pranë vetes se gjithë të tjerët. Artist nga profesioni, i shkathët dhe elokuent nga dialogu, pa mëkate të së shkuarës në qeverisjen e lartë, pa ndeshje direkte me institucionet ndërkombëtare, përballë liderëve të tjerë ballkanas, të cilët, ose vinin nga lufta, si ato të Bogradit, ose nuk kishin asnjë aureolë mbi vete.

Megjithëse të gjithë e dinë se kjo kohë ka mbaruar dhe ai u bë, si shumë të tjerë, modeli që nuk duhet ndjekur i relativizmit ballkanas, përsëri, me idenë e tij të minishengenit, synon të jetë i tillë.

Analistë të shumtë kanë treguar se minishengeni, i cili nuk kalon përmes Prishtinës dhe nuk e përfshin atë, si e keqja më e vogël e kësaj ideje, është i pakohshëm, jo i duhur, i ngushtë, pa dobi dhe jo në interesin strategjik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Megjithatë ai po shkon më tej. Dy ditë më parë ai i dërgoi mesazhin e tij kolegut shqiptar në prishtinë se, “minishengenin e bëjmë dhe pa Prishtinën”, kur krejt natyrshëm do të duhej të thonte se “ Pa prishtinën nuk ka asnjë strukturë të tillë, dhe këtë mund ta bëjmë edhe pa Beogradin”.

Këshilltarët e tij në Prishtinë, megjithë kohën që ka kaluar, ende kanë nostalgjinë e takimeve të feshta me strukturat e larta të shërbimit sekret serb, por kjo nuk është minishengen. Është diçka tjetër.

Deliri tërmetor : tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar tregoi se shteti ishte i përgjunjur. Megjithë mesazhet nëntokësore të dërguara disa muaj para 26 nëntorit, qeveria kishte shkuar në shtratin e madh të harresës.

Ndoshta kjo i shtoi dëmet. Por tregoi se dëmi më i madh është gjumi qeveritar.

Tërmeti do të ketë për shumë kohë pasoja, por, është krejt e mundur që shefi i qeverisë ta shohë këtë si një rast për të rritur kredencialet e tij, për të krijuar besimin se vetëm ai mund ta mposhtë këtë dhe se, pa atë vetë, asgjë nuk mund të bëhet.

Ky delir mund të kushtojë shtrenjtë. Më shtrenjtë nga sa mund të mendohet tani.

Po të ishte se duhej kaluar në delir nga mposhtja e tërmetit, përmes donacioneve të huaja, ndihmave, kredive , etj, lehtësisht mund të mendohet se në çfarë deliri duhej të ishin shtetarët e vitit 1979, që në pak muaj, maj – shtator, përballuan tërmetin e 15 prillit.

Të bjerë a të mos bjerë tërmet, nuk është në dorën e qeverisë, në asnjë vend të botës. E as në fallet e një presidenti.

Të mos kalohet në delir, kjo është detyrë parësore e një qeveritari.

Deliri pushtetor: vështirë se mund të kishte një qeveri e cila të përfaqësojë më pak se askush tjetër forcën politike që e ka deleguar.

E po ashtu, me disa përjashtime të veçanta, vështirë të gjesh një qeveri , e cila, në strukturën e saj, të ketë kaq shumë njerëz të panjohur për partinë qeverisëse, por edhe për njerëzit.

Mosrealizimet e shumta, defiçitet në buxhet, financat e shkatërruara, spekullimet, korrupsioni i njohur, PPP-të lakmitare, mungesa e veprave serioze dhe e investimeve të huaja, do të duhej të kishim, të paktën në paraqitje, një qeveri më kokëulur dhe më të frutshme.

Ndodh e kundërta. Është e habitshme se si kaq mendjelehtësisht po kalojnë në harresë ngjarje tronditëse, se si po menazhohet shteti, si bëhet kalimi në duart e një grushti njerëzish e pasurisë kombëtare, se si kaq lehtësisht pranohet se do të marrim punëtorë të huaj, nga një botë e tretë, çka ishte paralajmëruar shumë kohë më parë nga një biznesmen i fuqishëm dhe i mbështetur nga shefi i qeverisë – në të njëjtën kohë kur mjeshtërit tanë po ikin.

Deliri PPP-ist : ndoshta më rrënuesi për qeveritë e së ardhmes, por, mbi të gjitha, për njerëzit. Askush nuk e di saktësisht se sa koncensione janë dhënë deri tani dhe cili klientelizëm po sundon shtetin.

Hapja e një kutie të ngushtë “pandore”, mes dy bosëve medialë, tregoi shumë më tepër nga sa mund të jetë marrë me mend. Tregoi se abuzimi është bërë normë, se për hir të pasurimit janë të gatshëm të nxjerrin të palarat, se si shteti sillet rreth një grupimi njerëzish, ku mbështetet për të mbajtur  pushtetin , dëshmoi se sa e lehtë është të përfitosh nga qeveria, nëse asaj i duhesh në një moment të caktuar, solli prova se ndarja e punëve nuk bëhet sipas meritës dhe kostove më të ulta, por përmes zyrave qeveritare. Nëse kostoja e tashme e PPP-ve na duket e madhe, ajo e së ardhmes do të jetë tronditëse.

E, megjithatë, shefi i qeverisë nuk heq dorë. Për një shkak të vetëm, është në delir!

Deliri parlamentar : në fakt kemi një parlament të mangët, por që është legjitim. Ata që u tërhoqën nga parlamenti, në një mënyrë krejt absurde, lanë pas vetes listat e tyre. Pra, ishte skalioni i dytë apo i tretë i tyre, por ishin të tyret. Në listat e LSI dhe të PD nuk vuri dorë Edi Rama. I ndërtuan vetë dhe, po vetë, duhet të ndëshkohen për zgjedhjen e tyre.

Si cilësova, është legjitim ,por është i mangët. Jo nga numri, por nga mendimi, idetë, vizioni, qëndresa, llojshmëria.

Aty anë njerëz që u ra në prehër deputetllëku dhe, si nga çdo “llëk” tjetër, edhe nga ky, është e vështirë të heqin dorë.

Duke qenë një parlament i tillë ai e ka kaluar në delir shefin e shumicës. Me këtë parlament ai mund të bëjë çfarë ë të dojë. Si të dojë.

Koha ka edhe ajo gjynahet e huqet e saj.

Në Shkodër, ku është një fillesë gjenealogjia e Edi Ramës, gjyshja e tij e mençur, ka patur gjithnjë një të nëmur shkatërruese, “të hiftë vedja në qejf”. Nuk di ta sjell në gjuhën letrare.

Ndoshta do të ishte mirë që shefi i qeverisë të kujtohej për këtë fjalë urtësie, që gjyshja e tij e ka ditur me siguri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT