“Më ofendoi në sy të familjes dhe…”- Plagosja e Vladimir Bruçit, zbardhet dëshmia e Pjerin Bitanit: Kamerat i drejtoi vetëm nga lokali im!

Zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar të plagosjes së Vladimir Bruçit dje në Shkodër.

Detaje të reja dalin në dritë edhe nga hetimi për plagosjen me armë në lagjen “Rus”, ngjarje për të cilën është arrestuar 70-vjeçari Pjerin Bitani.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes dy fqinjëve dyshohet se ka nisur për shkak të kamerave të sigurisë të vendosura në zonën e parkimit të Bruçit.

Bitani, i cili kishte një lokal pranë parkimit, kishte shprehur shqetësimin se kamerat ishin të orientuara nga ambienti i tij dhe jo vetëm nga hapësira që duhej të monitoronin.

Sipas dëshmisë së dhënë nga Bitani në polici, përplasja mes dy fqinjëve ka vijuar në një pjesë të rrugës pranë lokalit, ku situata është përshkallëzuar pas një debati verbal.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se 70-vjeçari ka pretenduar se Bruçi e ka ofenduar në prani të familjarëve që ndodheshin në lokal. Pikërisht në këtë moment, sipas versionit të tij, Bitani ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Bruçit, informon TCH.

Nga të shtënat, Vladimir Bruçi mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa sipas autoriteteve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Raportimet e para flasin për dy të shtëna të drejtuara ndaj tij, ndërsa një prej plumbave ka dëmtuar edhe një automjet që ndodhej i parkuar pranë vendit të ngjarjes.

Pas ngjarjes, Pjerin Bitani u largua nga vendi i konfliktit dhe u fsheh për disa orë në zonën e lagjes “Rus”. Policia zhvilloi kontrolle të shumta për lokalizimin e tij, ndërsa paralelisht nisën negociatat me familjarët e 70-vjeçarit. Pas këtyre negociatave, Bitani u vetëdorëzua në polici dhe më pas u arrestua për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Një tjetër element që po hetohet është arma e përdorur në ngjarje. Sipas të dhënave të bëra me dije nga burimet e hetimit, Bitani ka pretenduar se armën e ka hedhur gjatë largimit, por nuk ka përcaktuar vendndodhjen e saktë. Pavarësisht kontrolleve të kryera nga policia, arma ende nuk është gjetur.

Ndërkohë, në kuadër të hetimit pritet të verifikohen edhe kamerat e sigurisë që dyshohet se janë bërë shkak i debatit mes dy fqinjëve. Policia po punon për sekuestrimin dhe administrimin e pamjeve të tyre, të cilat mund të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe momentit kur janë kryer të shtënat.

Vladimir Bruçi nuk është një emër i panjohur për kronikën e Shkodrës. Në qershor të vitit 2024, ai u dhunua në të njëjtën zonë pas një konflikti për një vendparkimi, ndërsa për atë ngjarje Gjykata e Shkodrës dënoi tre persona.

Hetimet për ngjarjen e re vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa deklarimet e Pjerin Bitanit dhe provat materiale, përfshirë kamerat dhe gjetjen e armës, pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në plagosjen me armë të Vladimir Bruçit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT